Abortet gjatë pandemisë, dhjetëra raste për 9 muaj
E drejta e grave në abort, ndonëse është ligjërisht e garantuar, në Kosovë ende trajtohet si temë tabu dhe dënohet moralisht jo vetëm në shoqëri por edhe në institucionet më të larta.
Gratë në Kosovë vazhdojnë të kryejnë aborte për shkaqe të ndryshme. E në kohë pandemie, as në vendin tonë nuk kanë munguar këto raste. Drejtuesit e Institucioneve Shëndetësore theksojnë se ky numër është prezent në spitalet e vendit.
Ata theksojnë se në Klinikat e QKUK janë kryer dhjetëra raste që nga muaji mars kur edhe ka filluar pandemia.
Sipas statistikave të QKUK-së respektivisht nga Klinika Gjinekologjike, në periudhën mars-tetor janë kryer 36 aborte.
Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismajli ka thënë për FaktePlus se në QKUK 36 gra kanë kryer procesin e abortit.
“ Në klinikën tonë nga periudha e cekur e deri më tani janë kryer 36 aborte. Gratë që kanë kryer këtë proces janë të moshave të ndryshme duke filluar nga 14 deri në 40 vjeç”, ka thënë Ismajli.
Ai po ashtu ka pohuar se në këtë klinikë janë kryer edhe një numër i lartë i lindjeve normale.
Sipas tij në periudhën mars-tetor janë kryer 5 mijë e 638 lindje.
Çfarë thotë kodi penal i Kosovës për abortet?:
Kodi Penal i Kosovës në bazë të nenit 184 e konsideron ndërprerjen e paligjshme të shtatzënisë si vepër penale.
Paragrafi 1 i këtij neni thotë: “Kushdo që në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënësisë dhe me pëlqimin e gruas shtatzënë, ndërpret shtatzëninë, fillon ta kryej ndërprerjen e shtatzënisë ose i ndihmon që ta ndërpres shtatzëninë, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”
Kjo do të thotë që vetëm personat që kryejnë abortin e nxitur mund të ndiqen penalisht në këtë llogari, jo gratë që kanë vendosur të ndërpresin shtatzëninë e tyre. Për më tepër, paragrafi 2 kriminalizon veprimin e personave duke theksuar se “kushdo që e ndërprenë ose fillon ta ndërpresë shtatzëninë pa pëlqimin e gruas shtatzënë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.”
Ndryshe një numër i madh i aborteve vazhdojnë të kryhen në klinikat private ku nuk ka shifra, derisa nga mbi 1 mijë e 400 ordinanca të licencuara në Kosovë vetëm 80 ambulanca janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për kryer shërbime gjinekologjike. Ndërsa çmimi për një abort sillen rreth 300 deri në 400 euro/FaktePlus