Abelard Tahiri: Lëshuam mbledhjen se na ofendoi Mimoza Kusari
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka njoftuar se ai bashkë me nënkryetarin e Kuvendit, Bedri Hamza, kanë lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për shkak se janë ofenduar nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
“Lëshuam mbledhjen e Kryesisë për shkak të pamundësisë për të vazhduar më shumë, për shkak të ofendimeve që vijnë nga shefja e Grupit Parlamentar më të madh, Mimoza Kusari. Një frymë e njëjtë po vazhdon edhe sikurse ishte në seancën e javës së kaluar ku ky pushtet po tenton me ngulm t’i ofendojë deputetët e opozitës, t’ia ndalë fjalën atyre dhe të mos i trajtojë agjendat tona si parti opozitare në Kuvend”.
“Ndoshta e fundit në këtë Republikë është zonja Kusari që ka deficite të mëdha morale e çfarëdo qofshin ato që t’i quajë deputetët e opozitës se më shumë ngjasojnë me banda se me parti opozitare. Paaftësia e tyre si duket po e rëndon shumë këtë mazhorancë”.
Tahiri ka thënë se mungesa e një agjende zhvillimore po e shtyn pozitën që të mbysë debatin parlamentar.
Ai ka thënë se edhe në muajin e tretë të qeverisjes s’ka asnjë iniciativë nga pozita, duke thënë se kjo tregon ritmin e ngadaltë të Qeverisë.