Abdullahu: Në Serbi ka unitet për dialogun me Kosovën
Analisti politik, Faton Abdullahu, ka thënë se në Serbi ka unitet kur bëhet fjalë për dialogun, për dallim nga Kosova, që sipas tij, i mungon një gjë e tillë.
Abdullahu ka thënë se këtë unitet e ka ndërtuar presidenti serb Aleksandër Vuçiq duke u viktimizuar para faktorit ndërkombëtar.
“Unë e shoh se në Serbi ka unitet kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës, është e çuditshme por iu shkon për dore që të kenë një unitet”,tha Abdullahu në Info Magazine në Klan Kosova.
“Këtë unitet më së shumti e ka ndërtuar Vuçiqi dhe i ka shkuar për dore që edhe para bashkësisë ndërkombëtare të jetë një far faktori që mund ta zgjidh problemin me Kosovën”.
“Sa kam vërejtur viteve të fundit, ai [Vuçiq] viktimizohet edhe para SHBA-së edhe para BE-së duke luajtur rolin e viktimës kinse ja të tjerët mua po ma bëjnë këtë të keqe”.
Abdullahu ka shtuar se Vuçiq e ka shfrytëzuar vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si dhe masën e reciprocitetit për ta vazhduar politikën e tij të viktimizimit.
“Është e çuditshme nëse krahasohet me Kosovën sepse atje nuk kanë opozitarizëm qysh e kemi ne [tash a e kemi ne pse jemi më demokratë apo pse kemi më shumë kontroll nga ndërkombëtarët kjo është një çështje tjetër]”.
“Por Serbia nuk ka Albin Kurta dhe nuk di a e bën kjo më të fortë Serbinë për demokracinë e brendshme, por në aspektin e Kosovës nuk ka ndryshuar shumë”, tha ai.