Abdixhiku, qeverisë: Kthejani paratë qytetarëve, shkarkojeni bordin e ZRrE-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit mori vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE-së për tarifat e rritura.
Ai ka thënë se qeveria e Kosovës, të cilën e ka cilësuar si të paaftë, duhet t’ua kthejë qytetarëve paratë që thotë se ju janë plaçkitur kundërligjshëm.
“Nga sot, faturat tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%. Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq”, ka shkruar ai në Facebook.
Madje, ai kërkon edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së për të cilin thotë se s’ka më asnjë kredibilitet.
Abdixhiku thotë se LDK-ja do të nisë edhe procedurat e nevojshme parlamentare për të shkarkuar bordin e ZRrE-së, njofton Klankosova.tv.
“Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet. Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë”.
“Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë. Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!”.