Abdixhiku në “gjumë”, vështirësohet qarkullimi në disa rrugë
Ministri i ri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, kishte reaguar me shpejtësi që rrugët të mos bllokohen kur javë më parë pati të reshura bore.
Por, duket se kësaj here, sikurse edhe ministrat paraprak, bora e dytë prej marrjes nga ai të postit të ministrit, e ka zënë në befasi edhe atë.
Në disa foto të publikuara nga mediat shihet se gjendja në autostradën “Ibrahim Rugova” nuk është e mirë dhe ka probleme në qarkullim pasi nuk është pastruar rruga.
Në autostradë nuk shihet të ketë dalë asnjë borëpastruese.
Bora ka shkaktuar vështirësi edhe në disa rrugë magjistrale të vendit.
Në fshatin Gllarevë të Klinës që gjendet në magjistralen Prishtinë – Pejë, vozitësit kanë thënë se nga bora dhe akulli po hasin vështirësi në qarkullim, madje, ka rrëshqitje të veturave.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ende nuk është deklaruar rreth gjendjes së rrugëve nëpër Kosovë, derisa, në rrjete sociale qarkullojnë fotografi të rrugëve me borë.