Abazi thotë se Qeveria në detyrë do të zgjasë derisa të mbahen zgjedhjet
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi ka thënë se Qeveria Kurti do të vazhdojë të jetë në detyrë derisa të krijohet situata për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Qeveria në detyrë do të zgjasë deri nga mundësia për zgjedhje sepse ashtu thotë Kushtetuta”
Abazi nuk beson se do të mund të formohet Qeveria e re dhe thotë se Lëvizja Vetëvendosje po e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër. Këtë ai e bazon te disa deklarata të juristëve.
“Duke pasur parasysh deklaratat e ekspertëve, përfshirë edhe të profesor Bajramit, i cili ka qenë pjesë e hartimit të Kushtetutës. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën për hatër askujt. Askush nuk duhet të frikësohet nga kushtetushëmeria dhe e drejta e votuesit për të zgjedhur Qeverinë e vetë”
“Ne jemi në kërkim të formës më të mirë për të tejkaluar kapjen e shtetit” , ka thënë ai, në Televizionit 7.
Ndryshe, Abazi thotë se Qeveria Kurti, që sot i ka mbushur 100 ditë, do të mbahet mend për menaxhimin, sipas tij, të mirë të pandemisë.
“Kjo Qeveri do të mbahet mend për menaxhimin e situatës së pandemisë. Ne jemi përballë me të pas tri javëve pasi e kemi marrë pushtetin”, ka thënë zv.kryeministri, duke numëruar vendime të Qeverisë për të cilat, sipas tij, do të mbahet mend nga Qeveria tash në detyrë.