Abazi: Ndryshimet kushtetuese e gjendja e jashtëzakonshme ndodhi vetëm një herë në 1989
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka zhvilluar takime e konsulta me liderët e partive politike pas situatës së krijuar nga votimi në Kuvend i mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.
Nisma e tij, pason votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.
“Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë. Në këtë drejtim, ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm”, thuhet në këtë ftesë.
Kështu gjatë ditës sot janë zhvilluar takimet me të gjithë drejtuesit e partive më të mëdha parlamentare dhe pastaj liderët kanë dhënë qëndrimet e tyre se si duhet gjetur zgjidhja.
Vetëvendosje ka përjashtuar mundësinë që të ketë qeveri të re, duke kërkuar që qeveria aktuale të vazhdojë punën deri në përmbylljen e fazës së pandemisë së shpallur pas përhapjes së koronavirusit të ri dhe pas kalimit të kësaj gjendje të shkohet në zgjedhje.
Por, qëndrim krejt tjetër ka ish- partneri i koalicionit, LDK-ja, lideri i së cilës kërkon të formohet një qeveri e re. E kështu mendon edhe PDK, AAK e Nisma.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve të sotme, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi, i cili tha se tentimet e sotme janë përpjekje si në vitin 1989, kur me shumicë votash ishte suprimuar kushtetuta e vitit 1974.
“Ndryshimet kushtetuese janë përmendur dhe janë bërë në të njëjtën kohë- dhe në të njëjtën fjali me deklaratat për gjendjen e jashtëzakonshme- vetëm njëherë dhe kjo, në mars të vitit 1989. Atëbotë me shumicë votash është suprimuar kushtetuta e vitit 1974”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, rrjedhimisht për shkak të qëllimeve të errëta e të kobshme i është hequr Kosovës dhe qytetarëve të saj e drejta për të vetëvendosur për të ardhmen e tyre.
“Kjo shkollë edhe sot po vazhdon të pretendojë se ekziston”, ka thënë Abazi, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Partnerët e koalicionit gjatë 50 ditëve të bashkëqeverisjes kanë pasur vazhdimisht mospajtime.
Mospajtimet të mëdha mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ishin në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, masë kjo e cila është shfuqizuar tani dhe me Serbinë është vendosur reciprocitet./FaktePlus