AAK ua kujton LDK-së e PDK-së se kush mbajti në fuqi taksën kundër Serbisë
Ndonëse jo zyrtarisht, partitë politike në vend e kanë filluar fushatën elektorale. E gati të gjitha kanë nisur ta shfrytëzojnë si mjet fushate, taksën që Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj vendosi ndaj produkteve serbe e boshnjake. Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj thotë se qëndrimet e tashme të disa partive që deri para pak ditësh ishin që taksa pezullohej, janë vetëm përpjekje për të përfituar politikisht.
Është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila është deri para se të kuptohej se vendi po shkon në zgjedhje ka deklaruar se taksa nuk duhet të pezullohet. Mirëpo tani kryetari i rizgjedhur i kësaj partie, Isa Mustafa ka thënë se taksa në asnjë variant nuk duhet të hiqet.
“Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa të mos reflektojë në të gjitha këto sjellje të bllokadës që po i bën Kosovës”, kishte thënë dje Mustafa.
Se qeveria e ardhshme duhet ta mbaj në fuqi taksën ndaj produkteve serbe dhe bonjake deri në një marrëveshje e cila qon në njohjen e Kosovës, e ka thënë këto ditë edhe zëvendëskryeministri në largim nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ai ka thënë se qëndrimi i PDK-së është që taksa duhet të mbetet në fuqi.
“Një kohë ne e kemi mbajtur një qëndrim dhe unë nuk dua t’i ik pyetjes, por qëndrimi ynë aktualisht është që taksa duhet të mbetet në fuqi”, ka thënë Hoxhaj
Këto deklarata e qëndrime të subjekteve politike që deri ara pak ditësh ishin kundër taksës, deputetët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila udhëhoqi për dy vite me qeverinë e vendit, po i shohin si fushatë elektorale.
Rasim Selmanaj nga AAK, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se taksa duhet të mbetet në fuqi me çfarëdo qeverie të formuar.
Ai tha se kjo çështje duhet të diskutohet vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën si shtet.
“Taksa duhet të mbetet në fuqi, Kosova duhet të shkoj në dialog pa kushte dhe taksa duhet të hiqet vetëm kur Kosova dhe Serbia të arrijnë në një marrëveshje për njohje, në të kundërtën ajo duhet të mbetet. Pse duhet ne që t’ia falim tregun tonë kur ajo nuk ka njeh, pra kjo punë nuk ka logjik”, ka thënë Selmanaj.
Ai tutje është shprehur se kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ishte i vetmi lider politik që nuk hoqi dorë dhe vendosi që taksa 100 % e vënë ndaj Serbisë të mbetet në fuqi.
Sipas tij, tashmë qëndrimet e partive tjera që më herët ishin që taksa pezullohej, janë vetëm përpjekje për të përfituar politikisht.
“Kryetari Haradinaj është ai që mbajti në fuqi taksën. E keni pasur mundësinë me pa në fakt kush ka qenë pro taksës dhe kush ka qenë që ajo të pezullohej. Kështu që çdo përpjekje për ta dëshmuar të kundërtën është e kotë. Ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj, ai i cili nuk ka lejuar që taksa të largohet”, thekson deputeti i AAK-së.
Selmanaj tutje thotë se po të dëgjoheshin oponentët e tjerë politike, taksa do të duhej pezulluar qysh moti, por ajo mbeti në fuqi falë qëndrimit të paluhatshëm të Haradinajt.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj në nëntor të vitit të kaluar, ka marrë vendim për taksën doganore, fillimisht 10 për qind e më pas 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Taksa erdhi si një kundërpërgjigje e Kosovës ndaj politikës agresive të Serbisë, e cila u angazhua kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe bëri presion në vende të caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Si do qoftë nga 21 nëntori i vitit të kaluar, importi nga Serbia ka shënuar rënie drastike, duke i shkaktuar humbje prej qindra milionë euro shtetit serb./FaktePlus