AAK qe dy dekada në Ferizaj, Haradinaj i jep mirënjohje familjes së Rrahim Bytyqit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar degën e AAK-së në Ferizaj, në 20-vjetorin e themelimit e të saj, ku ka takuar asambleistë dhe drejtorë të partisë në Kuvendin Komunal e në qeverisjen komunale.
Haradinaj ka shkruar se ky ishte rast i mirë për të hedhur vështrimin në dy dekadat e shkuara, në mënyrë që të bëhet një bilanc historik i të arriturave dhe sukseseve që AAK i ka sjell Ferizajt gjatë mandatave dy-vjeçare.
“Në shënim të 20-vjetorit të krijimit të degës së AAK-së në Ferizaj, takova asambleistët dhe drejtorët e Aleancës në këtë komunë. Rast i mirë për të hedhur vështrimin pas për të parë dy dekada histori të Aleancës, të arriturat dhe sukseset që i ka sjellë Kosovës dhe Ferizajit, gjatë qeverisjes së saj në dy mandate”, ka shkruar kryetari Haradinaj.
E në këtë rast, Haradinaj e ka vizituar edhe familjen e Rrahim Bytyqit, i cili ishte themelues i degës së AAK-së në Ferizaj.
Familjes Bytyqi i është ndarë një mirënjohje për konsolidimin e strukturës së partisë.
“Në këtë frymë, vizitova familjen e Rrahim Bytyqit, themelues i degës së Aleancës në Ferizaj, të cilit i ndava mirënjohje për kontribut të çmuar për konsolidimin e strukturës së qëndrueshme politike të Aleancës”, ka shkruar Haradinaj.