AAK pret afatin e fundit për dorëzimin e listës me deputet në KQZ
Dita e premte 6 shtatori, është afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve të tyre për deputetë të Kuvendit të Kosovës
Partitë politike janë duke përgatitur listat me emrat e kandidatëve, të cilët synojnë të zënë ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, disa nga partitë politike kanë vendosur t’i bashkojnë forcat e tyre dhe në zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët, shkruan FaktePlus.
Koalicioni AAK-PSD merret vesh se është në përfundim të përpilimit të listës për deputetë.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi tha se janë duke punuar në përpilimin e listës dhe në programin e koalicionit AAK-PSD.
“Lista edhe pse nuk ka përfunduar akoma, ajo do të jetë e gatshme për afatin e fundit kur duhet të dorëzohen me 6 shtator”, ka thënë Kuqi për FaktePlus.
Kuqi gjithashtu ka thënë se lista për deputet ka pësuar disa ndryshime, por që do të jenë pozitive për AAK-në dhe koalicionin.
“Përpilimi i listës për deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk ka qenë i lehtë, sidomos i një koalicioni si AAK-PSD që do të dal fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit. Koalicioni do të marrë pjesë më 15 deputet prej 120 sa do të ketë Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Kuqi.
Edhe Muharrem Nitaj ish deputet i legjislaturës së gjashtë nga radhët e AAK-së ka thënë se lista nuk ka përfunduar akoma, megjithëse ajo pritet të dorëzohet me 6 shtator sipas afatit të paraparë.
“Lista për deputetë nuk ka përfunduar akoma, por besoj se do të përfundojë me 6 shtator”, ka thënë Nitaj.
Partitë të cilat kanë arritur marrëveshje parazgjedhore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, dhe koalicioni tjetër mes Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.