AAK e gatshme të bëjë koalicion me LDK-në, Nisma pa qëndrim zyrtar
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur e gatshme të bëjë koalicion me LDK-në, ndërkaq Nisma Socialdemokrate akoma nuk e ka vendosur një gjë të tillë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se ka kërkuar pëlqimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për të hyrë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate si dhe pakicat.
Mirëpo në lidhje me propozimin e Mustafës, nga partia e Ramush Haradinajt, kanë thënë se qëndrimi i tyre tashmë është i qartë.
Ardian Gjini nënkryetar i AAK-së, ka thënë për lajmi.net, se nëse ekziston varianti që të ketë qeveri të re, janë të gatshme që të bëjnë koalicion me LDK-në.
“Po e ka dhënë edhe kryetari Haradinaj qëndrimin preliminar tonin. Gjithsesi të gjitha partitë munden me kalua nëpër institucionet e veta do me thënë e kemi dhënë mendimin. Mendimi i parë i Aleancës ka qenë që në cilin do rast Aleanca ka qenë e gatshme për opozitë, por nëse do të jetë variant që vendit t’i japë qeveri të re, atëherë po”, ka deklaruar Gjini.
Në anën tjetër, Haxhi Shala nga Nisma Socialdemokrate ka bërë të ditur për lajmi.net, se kjo parti akoma nuk e ka vendosur një gjë të tillë.
Sipas tij, në momentin që Nismës do ti ofrohet ndonjë mundësi për bashkëqeverisje, atëherë siç tha ai, organet e partisë do ta diskutojnë një gjë të tillë.
“Ne si Nismë nuk kemi biseduar ende për koalicionit e ardhshme sepse mund të sjellë kjo situatë e krijuar nga rrëzimi i qeverisë Kurti. Në momentin që bisedojmë në Nismë do të keni lajmin, por tash ka shkresën Lëvizja Vetëvendosje e cila ajo e ka përgjegjësinë kushtetuese për të krijuar Qeverinë. Në momentin që nuk arrin partia e parë atëherë shikohen mundësitë kushtetuese dhe i jepet mundësia partisë së dytë. Por cili partner ta thërret Nismën në bashkëqeverisje atëherë organet e partisë e diskutojnë mundësinë e përfshirjes në qeverisje të ardhshme”, ka deklaruar Shala.
Theksojmë se më 23 mars të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për rrëzimin e qeverisë, pasi që Albin Kurti, kishte shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, pa dijeninë e partnerit qeverisës, pra LDK-së.