AAK dhe Vetëvendosje shkojnë me kërkesë të njëjtë në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi
Presidentit i vendit, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se me të filluar kjo javë do të thërras në një takim partitë politike për t’u konsultuar për gjetjen e një zgjidhje pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.
Mirëpo ftesat e presidentit ende nuk u kanë shkuar subjekteve politike, së paku Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si edhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha për FaktePlus se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentit dhe aty do të kërkojnë caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Nuk kemi marrë ende ftesë. Por, kur të vjen ftesa ne do të marrim pjesë në takimin e thirrur nga presidenti dhe aty do të kërkojmë të caktohet data për zgjedhje”, tha Isufi.
LEXO EDHE: Krasniqi tregon a mori PDK-ja ftesën dhe a shkojnë në konsultime tek presidenti Thaçi
Kurse përveç kërkesë edhe kusht për të marrë pjesë në takimin që ka paralajmëruar presidenti Thaçi, subjekti politik opozitar Vetëvendosje thotë se ka caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.
Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi tha se nuk pranojnë asnjë takim me presidentin përveç takimit ku do të caktohet data e zgjedhjeve.
“Në asnjë takim nuk pranojmë me presidentin përveç takimit ku do të diskutohet rreth caktimit të ditës së zgjedhjeve. kurse a e ka ftuar apo jo takimin deri tani nuk e di”, tha Selimi për FaktePlus.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi tha se subjekti i tyre ende nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga presidenti Thaçi.
“Kryetari Limaj do të merr pjesë në të gjitha takimet konsultative që ftohen nga organet kushtetuese. Kjo vlen edhe për ftesa që mund të bëhet nga presidenti”, tha Sherifi për FaktePlus.
Kosova tashmë ka hyrë në javën e dytë prej që ka mbetur pa kryeministër, pasi që nga ky post Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje për shkak të një ftesë që ka marrë nga Gjykata Speciale.
Gjatë paradites së sotme kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e ka pranuar akoma një ftesë zyrtare nga presidenti Hashim Thaçi për konsultat që ky i fundit duhet t’i thërrasë me partitë politike, bazuar në Kushtetutë.
“Unë kam kërkuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së dhe nënkryetari i partisë Ahmet Isufi që t’i fillojë konsultat me Grupet e tjera Parlamentare që ta përkrahin shpërbërjen e Kuvendit që të mos vonohet shkuarja në zgjedhje”.
“Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar, por ende nuk e kemi marrë ftesë zyrtare për takim, por mirë është t’i respektojë afatet kohore të parapara kushtetuese dhe ligjore që të veprojë”.
Ai në një konferencë për media tha se ndonëse ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit vazhdon të ketë përgjegjësi institucionale./FaktePlus