A zyrtarizohet nesër bashkimi i Alternativës së Mimoza Kusari-Lilës me Vetëvendosjen?
Mimoza Kusari-Lila assesi nuk po bëhet rehat me partinë e saj, Alternativa. Që nga themelimi i kësaj partie, në secilën palë zgjedhje, i është bashkuar njërës nga subjektet e mëdha politike. E, këtë trend duket se do ta vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme, ani pse ende nuk ka caktim të zgjedhjeve të parakohshme.
Nesër (E mërkure) kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, mund do ta zyrtarizojë koalicionin parazgjedhor mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Burime të afërta me Kusari-Lilën, kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se koalicioni pritet të nënshkruhet gjatë ditës së nesërme.
“Gjatë ditës së nesërme pritet të nënshkruhet koalicioni mes Alternativës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo po bëhet për të garuar në zgjedhjet e ardhshme bashkë”, ka thënë ky burim i afërt me kryetaren e Alternativës.
FaktePlus, ka kontaktuar disa herë kryetaren Mimoza Kusari-Lila, por ajo nuk është përgjigjur në thirrjet e agjencisë.
Ndërsa, njëri nga themeluesit e Alternativës, Ilir Deda, ani se muajve të fundit ka pasur përplasje me Kusari-Lilën, nuk ka dashur të flas për këtë çështje.
“Kontaktoje të lutëm Mimozën, për këtë punë kontaktoje atë”, ka thënë shkurt, Deda për FaktePlus.
Mirëpo, në anën tjetër, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka mohuar një koalicion të tillë, duke thënë se për nënshkruar një koalicion me ndonjë parti tjetër vendimin e marrin në organet e partisë.
“Jo, nuk është e vërtetë. Për koalicione ne vendosim në organet e brendshme. Dhe, jemi të hapur por nuk kemi vendosur as diskutuar”, ka thënë Haxhiu, për FaktePlus.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Alternativa e Mimoza Kusari-Lilës hyri në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku dy drejtuesit e saj, Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, arritën që të futën në Kuvend, por më pas dolën nga grupi parlamentar i LDK-së./FaktePlus