A u verifikua Martin Berishaj nga Inteligjenca e Kosovës? Dyshime mbi procesin verifikues
Para përfshirjes në skandale si Martin Berishaj, ambasadorët duhet t’u nënshtrohen verifikimit të AKI-së për t’ua pamundësuar ta bëjnë horë Kosovën. Tash kur Berisha u njollos, opozita me dyshim po pyet se a u tejkalua ky verifikim, apo AKI-ja bëri lëshim?
Skandali i Martin Berishajt pos që i qiti hije të zezë diplomacisë shtetërore, i qiti edhe pikëpyetje procedurës së verifikimit të ambasadorit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).
Kolegë të ambasadorit Martin Berishajt sigurojnë se për t’u bërë ambasador i Kosovës, duhet t’i nënshtrohesh edhe një verifikimi të inteligjencës kosovare.
Sipas Avni Arifit – ish-ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe – praktika e verifikimit të ambasadorëve ka ardhur sa ishte ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, pas reagimeve të ambasadorit amerikan, Philip Kosnett.
“Me 28 qershor 2019 ka pas reaguar Kossnet për emërime në MPJ dhe për këtë qëllim Pacolli ka dërguar shkresë në AKI, ku ka kërkuar verifikim të të gjithë ambasadorëve”, thotë Avni Arifi për Nacionalen.
Të së njëjtës procedurë të verifikimit të AKI-së i është nënshtruar edhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.
“Procedura e parë ka filluar nga Ministria. E dyta nga Kuvendi. Te gjitha kanë shkuar te presidenti, janë verifikuar, e pastaj kane shkuar te shteti i pritjes. Ata e kane vrifikuar figurën time dhe e kanë dhënë pëlqimin” – ka thënë Hasani për Nacionale.
Ish-ambasadori Arifaj na siguron se praktika e verifikimit nga AKI-ja është bërë praktikë e Ministrisë së Jashtme nga viti 2019.
“Verifikimi nga AKI-ja ka qenë vendim i MPJ-së nga vitit 2019. Në atë kohë na është thënë se s’do të ketë më emërime diplomatike pa verifikim nga AKI-ja. Unë jam intervistuar nga AKI-ja dhe e kam përfunduar verifikimin” – thotë Arifaj.
Por, a u verifikua Martin Berishaj para ose pas emërimit të tij ambasador në Kroaci?
Përgjigjen e kësaj pyetje po e kërkon edhe opozita.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pyeti se si Berishaj mori nënshtetësinë e Kosovës veç një ditë para se të bëhej ambasador.
Bazuar në atë se Çitaku ka qenë ambasadore e Kosovës në Uashington të SHBA-së, ajo gjithashtu pyeti se a janë bërë verifikime të Berishajt nga AKI-ja meqë politika deshi ta emërojë ambasador.
“Shkarkimi as që duhet të diskutohet. Pastaj drejtësia do ta thotë fjalën e vet, mirëpo ne kemi disa pyetje: Si e ka marrë z. Berisha nënshtetësinë një ditë para se të bëhej ambasador, a kaluar në hallkat e sigurisë, a ka bërë verifikime nga AKI-ja dhe si është bërë ky verifikim”, ka pyetur Çitaku.
Pyetje të tilla erdhën edhe nga krahu tjetër opozitar. I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i pyeti kryeminsitrin Kurti dhe presidenten Osmani lidhur me skandalin.
Ndër pesë pyetjet të cilat duam t’i dimë të gjithë, ishte edhe pyetja e e verifikimit të Berishajt nga ana e AKI-së.
Kryetari i AAK-së e pyeti Osmanin pse u përshpejtua procedura e Berishajt për t’ia dhënë shtetësinë, por gjithashtu pyeti nëse emërimi i shpejtë i tij nuk i dha kohë AKI-së ta hetojë figurën e Berishajt.
“Presidentja të sqarojë se me çfarë motivacioni i ka dhënë shtetësinë Ambasadorit Martin Berishaj, me procedura të përshpejtuara? A i ka lënë kohë të mjaftueshme AKI-së për të verifikuar aktivitetin e ambasadorit” – pyetje e Haradinajt për Osmanin.
Për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, mediat raportuan lidhur me një skandal në Slloveni, ku diplomati kosovar përfitoi para nga GEN-i serb, e nga llogaria përfituese ia çoi 600 mijë euro Robert Golobit – liderit të partisë Lëvizja për Liri, që tash i fitoi zgjedhjet dhe pritët të bëhet kryeministër i Sllovenisë.
Berishaj nuk u deklarua lidhur me skandalin, përveç se premtoi që do ta padisë median për shpifje median sllovene që ia nxori skandalin.
Opozita ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit pas skandalit, por që katër ditë nga skandali, qeveria ende nuk ka marr ndonjë veprim.
Përkundër reagimeve rreth skandalit që erdhën nga opozita dhe eksponentët komentues të politikës vendore, presidentja Vjosa Osmani tha se ambasadori e gëzon mbështetjen e saj.
Njëkohësisht, Kurti nuk e ka komentuar skandalin e ambasadorit, pos që ka përsëritur fjalët e të njëjtit kur thotë se do t’i padisë mediat. /Nacionale