A u përdorën nga kosovarët testet e Serbisë, flasin nga Ministria e Shëndetësisë
Javë më parë, në Kosovë u bë zhurmë e madhe për ardhjen e një mijë testeve për COVID-19 nga Serbia.
Kritikat të shumta u bënë në drejtim të Qeverisë në detyrë nën udhëheqjen e Albin Kurtit dhe Ministrisë së Shëndetësisë në krye me Arben Vitinë. Për gjithë këtë i heshtur nuk kishte si të mbetej, kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai në një konferencë për media kishte deklaruar se me pranimin e donacionit të ardhur nga Serbia kanë dëshmuar që nuk bëjnë dallime dhe se nëse Kosova nuk do t’i pranonte këto teste atëherë do të akuzoheshin për sjellje irracionale dhe për politizim të gjestit.
“1 mijë testet janë një gjest i Serbisë që nuk duhet të politizohet. Nuk besoj dhe nuk mendoj që Serbia ka rregulluar imazhin e tij. Nëse ka bërë imazh atëherë e ka bërë me marrëveshjet me të cilat përfaqësuesit e Kosovës nënshtroheshin për gjatë këtyre viteve sidomos pas shpalljes së Pavarësisë.”, tha Kurti.
Derisa të gjithë në Kosovë e kundërshtuan pranimin e këtyre testeve, këtë veprim të Serbisë e morën vëmendjen e medieve ndërkombëtare, në mesin e tyre Reuters dhe Neë York Times.
Reuters, agjencia e lajmeve me seli në Londër, ka shkruar se Serbia i dhuroi Kosovës 1000 teste për Covid-19, si shenjë solidariteti.
Megjithëkëtë, 1000 testet e COVID-19, ende nuk janë përdorur nga kosovarët.
Kjo pasi që me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, testet janë vendosur në stokin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.
Kështu ka thënë nga zyra e informimit të Ministrisë së Shëndetësisë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
“Me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të MSH, testet janë në stok të IKSHPK-së dhe nuk janë përdorur”, thuhet në përgjigjen elektronike të MSH-së.
Testet nuk janë përdorur meqë ende ka teste të tjera të cilat janë siguruar nga kontratat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe donatorët e tjerë.
“Sepse, ka teste të tjera që po përdoren, të siguruara nga kontrata e MSh-së dhe nga donatorët e tjerë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për FaktePlus.
Ndryshe në Kosovë nga data 08 shkurt deri më 05 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 8.761 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 856 raste, me gjithsej 26 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 05 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3.694.087 raste të COVID-19 dhe 255.597 raste të vdekjes.