A po hanë kosovarët mish të prishur e mish kali?!
Edhe viti 2020 nisi me diskutimet që shokuan të madh e të vogël në vend lidhur me cilësinë e mishit në Kosovë.
Dyshimet se kosovarët po konsumojnë mish me cilësi jo të duhur u ngritën këtyre ditëve, pasi një tregtar deklaroi se mishi i kuajve të sëmurë po përdoret për përpunimin e suxhukut.
Ndonëse shqetësimet lidhur me cilësinë, higjienën e kushtet tjera në të cilat përgatiten produktet ushqimore kanë qenë të kamotshme, ishte ky rast që alarmoi sërish opinionin.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se deri tani veterinarët zyrtarë që qëndrojnë nëpër thertore, por edhe inspektorët nuk e kanë vërejtur ndonjë rast të tillë.
“Ne nuk kemi pasur asnjë informatë të argumentuar se dikush është duke përpunuar apo duke therur kafshë të llojit të kalit. Po ashtu ne nuk e kemi asnjë thertore në Republikën e Kosovës të licencuar që në kategorinë e therjeve e ka të vendosur edhe therjen e kafshëve të llojit të kalit. Kështu që ne si autoritet kontrollojmë vetëm adresat zyrtare”, ka thënë për FaktePlus, Lamir Thaçi – zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Si do qoftë gjatë vitin 2019 në shumë raste AUV ka gjetur produkte të ndryshme, në mesin e tyre edhe mish, që dyshohet se nuk kanë pasur cilësinë e duhur.
Thaçi thotë se rastet e tilla të mëhershme, por edhe këto të fundit i kanë proceduar tutje tek organet kompetente dhe tani janë në dorën e Policisë së Kosovës që të merr masat e duhura.
“Ne të gjitha informatat që i kemi mbledhur i kemi dërguar në Policinë e Kosovës dhe ne presim që rasti të trajtohet nga ana e tyre dhe posa ata të kërkojnë asistencë nga ne nga çfarëdo adrese të kontrollohet, ne siç kemi qenë gjithmonë të gatshëm dhe e kemi obligim, edhe në këtë rast ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me policinë e doganat” është shprehur zëdhënësi i AUV-it.
E organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit vazhdimisht kanë paraqitur shqetësime e tyre për cilësinë e dyshimtë të produkteve.
Selatin Kaçaniku, udhëheqës i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, thotë për FaktePlus se edhe rasti i therjes së kuajve dhe përdorimi të mishit të tyre për përpunimin e suxhukut, ka mundur të jetë i vërtetë.
“Mund të them se edhe kjo është e mundur. Përkundër faktit që qytetari konsumator është taksapagues dhe gjenerues i buxhetit prej nga financohet edhe AUV, unë mendoj që AUV është agjencion shumë i besueshëm. Por, edhe një gjë ne duhet ta kemi shumë të qartë, ne si qytetarë konsumatorë, se asnjë agjencion, asnjë mekanizëm i mbikëqyrjes apo inspektimit të tregut, as AUV nuk mund të ekzistojë pa ne”, deklaron ai.
Por, Kaçaniku thotë se shqetësuese është kontrabanda me kafshë që po vazhdon të bëhet nga Serbia dhe heshtja e qytetarëve karshi këtij problemi.
“Ne kemi shumë raste që importohen kafshët nga Serbia e cila salmonellën e trajton në mënyrë liberale, kurse tek ne kafsha e kapur me salmonellë duhet të asgjësohet menjëherë. Dhe ne kalime ilegale të kafshëve kemi çdo ditë edhe në këtë sekondë që po flasim ne kemi çdo ditë, i dimë të gjithë, nuk i raportojmë dhe nuk çajmë hallin për to”, tregon ai.
Ndërkohë përveç kësaj, problematikë tjetër e madhe viteve të fundit ka qenë e vazhdon të jetë ende edhe therja e kafshëve e shpezëve nëpër tregje, ku kushtet higjienike e sanitare janë të tmerrshme.
Zyrtarë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), si autoriteti më i lartë që është edhe përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit, thonë se janë duke u marrë edhe më këtë çështje.
Lamir Thaçi thotë se AUV ka bërë kërkesë tek kryetarët e komunave që të rregullohet çështja e tregjeve, pasi nuk mund të vazhdohet edhe më tutje kështu.
“Në bazë të rregullores që është e miratuar për tregjet, ne kërkojmë kritere që duhet të plotësohen për tregtimin e kafshëve. Në momentin që një operator i biznesit i plotëson kushtet, ne sigurisht do ta licencojmë dhe pastaj do të jetë nën mbikëqyrje të inspektorëve veterinarë, qoftë komunalë apo nga ana jonë”, është shprehur Thaçi.
Nga statistikat e publikuara më parë shohim se në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kilogramë mish të të gjitha llojeve.
Sipas statistikave të Doganës, Kosova më së shumti importon mishin e shpezëve (pulë). Derisa origjina e mishit të importuar nga Kosova kryesisht është nga SHBA, Brazili, Argjentina dhe Holanda./FaktePlus