A ndodhet tani Vetëvendosje në pozitën që PDK kishte në vitin 2014
Në Kosovë të dielën me 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ku fituese e tyre doli Lëvizja Vetëvendosje, pas përfundimit të numërimit te të gjitha votave. Por, ende nuk kanë nisur negociatat mes fituesit të zgjedhjeve, Albin Kurti dhe partive tjera që synon t’i marrë për të bashkëqeverisur.
Megjithatë, aktualisht vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbetur opsioni i Lëvizjes Vetëvendosje për të bërë koalicion, meqë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se do të jenë opozitë në këtë legjislaturë.
E njëjtë ka deklaruar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se nuk do t’i bashkohen Vetëvendosjes në Qeveri.
Këto dy parti i ka përjashtuar edhe vetë Kurti, duke theksuar se nëse nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje për koalicion me LDK-në, atëherë do të shkojnë në zgjedhje, sepse nuk e duan në koalicion PDK-në, e as AAK-në.
Këto qëndrime të dy taborëve ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të gjendet në situatën e njëjtë sikur që ishte PDK-ja në vitin 2014, kur asnjë parti nuk dëshironte koalicion me të, çka bëri që vetëm pas dhënies së kryeministrit LDK-së, arriti ta formonte qeverinë, por jo ta ketë edhe postin me të rëndësishëm, atë të kryeministrit si fituese e zgjedhjeve.
Madje, në Kosovë nuk janë të rralla kur partia fituese është detyruar që postin e ekzekutivit ia jep partisë që nuk i ka fituar zgjedhjet.
Që nga përfundimi i luftës janë të pakta zgjedhjet kur fituesi kishte arritur të merrte edhe postin e kryeministrit.
Menjëherë pas përfundimit të luftës, në vitin 2001 kur ishin organizuar zgjedhjet e para parlamentare, ani pse kishte fituar LDK-ja, postin e kryeministrit ia kishte dhënë PDK-së, në një qeveri gjithëpërfshirëse, ku Bajram Rexhepi ishte zgjedhur kryeministër.
Njëjtë kishte ndodhur edhe në vitin 2004, ku sërish fituese kishte dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, e prirë aso kohe nga ish presidenti Ibrahim Rugova. Partia që drejtohej nga Rugova kishte marrë 313 mijë e 437 vota, apo 42 për qind.
Në ato zgjedhje PDK-ja e drejtuar atëherë nga Hashim Thaçi, kishte fituar 199 mijë e 112 vota apo 28.85 për qind.
Kurse e treta kishte dalë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që kishte fituar 57 mijë e 931 vota apo 8.39 për qind.
Por, pavarësisht fitores së thellë nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës, në zgjedhjet e 2004-tës, sërish ngërqi politik ishte i madh dhe u vonua formimi i qeverisë, pikërisht për shkak të mos pranimit që t’i bashkohen në koalicion qeverisës.
Aso kohe, pas disa muajve negociata, LDK-ja ia kishte dhënë partisë së tretë postin e kryeministrit, që ishte AAK-ja e Ramush Haradinajt, ku ky i fundit arriti të bëhej kryeministër.
Të vetmet zgjedhje që kryeministri nuk i ishte dhënë partisë jo fituese, ishin ato të vitit 2007 dhe 2010, kur zgjedhjet i kishte fituar PDK-ja dhe të dy herët kryeministër ishte bërë Hashim Thaçi.
Mirëpo, ndryshe ndodhi në vitin 2014 kur u organizuan zgjedhjet e parakohshme pas rrëzimit të Qeverisë me mocionin e mosbesimit që ishte iniciuar atëherë nga partneri i koalicionit të PDK-së, AKR-ja e Behgjet Pacollit.
Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës kishte marrë 222 mijë e 181 vota apo 31.38 për qind, më pas Lidhja Demokratike e Kosovës me 184 mijë e 596 vota, apo 25.24 për qind, Lëvizja Vetëvendosje me 99 mijë e 397 vota apo 13.59 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 69 mijë e 793 vota apo 9.54 për qind dhe Nisma për Kosovën 37 mijë e 681 vota, apo 5.15 për qind.
Pavarësisht se PDK ishte dalë e para, vetëm një ditë pas zgjedhjeve ishte formuar blloku i quajtur LAN, nga partitë që kishin humbur, LDK-AAK-Nisma. Këtij blloku pas dy muajve i ishte bashkuar edhe VV-ja, për ta bërë bllokun e famshëm VLAN që refuzonin të bashkëqeverisnin me PDK-në si fituese e zgjedhjeve.
Por, pas gjashtë muajve LDK-ja kishte ndërruar mendje dhe pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ishte vendosur të hynte në koalicion me PDK-në, por me kushtin që posti i kryeministrit t’i takonte LDK-së.
Duke parë se askush nuk po pranonte të bashkëpunonte me PDK-në, kjo parti kishte pranuar ta bënte Isa Mustafën kryeministër, që më pas e rrëzuan me mocion mosbesimi pas vetëm dy vjet qeverisje.
Pas rrëzimit të Qeverisë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2017, ku sërish posti i kryeministrit iu dha një partie që kishte vetëm 9 për qind.
Ani pse kjo ndodhi në një koalicion parazgjedhor mes PDK-së, AAK-së, Nismës dhe disa partive tjera të vogla. PDK edhe kësaj radhe ia kishte dhënë postin e shefit të ekzekutivit Ramush Haradinajt.
Tani thuajse në një situatë të tillë ka ardhur edhe Lëvizja Vetëvendosje, ku vetëm LDK-ja i ka mbetur si opsion për partner qeverisës, ani se as ajo nuk e ka shprehur qëndrimin e prerë të strukturave drejtuese se me çfarë kushtesh do të futën në koalicion bashkëqeverisës me Vetëvendosjen.
Se a do të përsëritet situata e vitit 2014, ku për gjashtë muaj u bllokua formimi i institucioneve mbetet të shihet pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, të cilat bëhen pas numërimit edhe të votave me kusht, të atyre me nevoja të veçanta dhe atyre nga diaspora./FaktePlus