A ndikoi Rusia në zgjedhjet e Kosovës?
Autoritetet në Kosovë viteve të fundit kanë pranuar se ka pasur tendenca për të pasur ndikim rus në vend. Njëra prej ngjarjeve për të cilën janë hedhur dyshime se mund të kishte pasur ndikim Rusia, është edhe nisja e trenit nga Beogradi për në Mitrovicë të Veriut në janarin e vitit 2017, i cili u kthye mbrapsht në Rashkë.
Megjithatë, dyshimet se Rusia ka ende dorë mbi Kosovën po vazhdojnë edhe tash.
Njëri nga kandidatët për deputet të Kosovës, më saktësisht Hisen Berisha nga radhët e PDK-së ka thënë se mund të ketë pasur ndikim rus edhe në zgjedhjet në Kosovë.
“Ka influencim rus, jo të drejtpërdrejtë, por përmes Turqisë dhe Serbisë. BE-ja ka miratuar një buxhet të veçantë pikërisht rreth kësaj teme, influencimin rus në rajon. Influencimi i tyre është edhe në zgjedhjet në Kosovë”, ka treguar ai mbrëmë në një debat televiziv.
Por sa realisht mund të ketë pasur ndikim Rusia në zgjedhjet në Kosovë?
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi për FaktePlus thotë se nuk mund të mohohet tendenca për të ndikuar në zgjedhje nga Rusia, e sidomos nga Serbia.
Por ai thotë që nuk ka vërejtur ndonjë ndikim të dukshëm, përveç atij në aspektin medial e propagandistik.
“Nuk mund të mohohet njëfarë tendence për të ndikuar në zgjedhjet nga Rusia e sidomos Serbia. Sa kam mundur unë të përcjell, nuk është vërejtur ndonjë ndikim i madh. Orvajtje ka pasur sidomos në aspektin mediatik. Megjithatë, involvim direkt, sidomos nga ajo që është raportuar nga KQZ-ja dhe nga monitoruesit, nuk është vërejtur. Në aspektin medial e propagandistik, çdoherë duhet pritur ndikim nga Serbia, Rusia e vendet që kanë qëndrim armiqësor ndaj Kosovës. Megjithatë në aspektin praktik, të dukshëm, nuk është vërejtur”.
Sipas tij, ka qenë Lista Serbe, ajo përmes së cilës Serbia e ka shtrirë ndikimin në vend
“Është edhe Lista Srpska. Megjithatë nuk është që ka ndikuar shumë me pengu procesin e votimit. Ndikimin e serbëve e rusëve që kanë qenë në përkrahje të Listës Serbe i shoh si kërcënime serioze ndaj deputetëve”, deklaroi ai.
Ai thotë se nëse ka pasur ndikim të dukshëm, këtë duhet ta trajtojë AKI-ja.
“Ndikimi i mundshëm i tyre është edhe çështje e trajtimit e AKI-së, të cilët me siguri do të dalin me ndonjë raport, nëse eventualisht ka pas diçka”, shtoi tutje ai.
Ndërsa edhe njohësi i çështjeve politike dhe atyre të sigurisë, Shefki Abdullahu, thotë se në këto zgjedhje ka pasur influencë politike nga Serbia e Rusia.
Sipas tij ato kanë pasur veprime të harmonizuara dhe qëllimi i tyre ka qenë që Lista Serbe t’i marrin votat për 10 deputetë në mënyrë që ata ta pengojnë ekzekutivin e legjislativin.
“Në këto zgjedhje parlamentare, ka pasur influencë nga Serbia dhe Rusia por vetëm te minoriteti serb i Kosovës duke mbështetur Listën Serbe. Rusia dhe Serbia kanë veprime të harmonizuara dhe përqendrimi i tyre ka qenë që Lista Serbe të marrin votat e 10 deputetëve serb dhe të pengojnë proceset e ekzekutivit por në disa raste edhe legjislativin”.
Tutje ai ka thënë për FaktePlus se me zgjedhjet e fundit Kosova ka dëshmuar demokraci të standardeve të larta evropiane në mbarëvajtjen e tyre.
Kujtojmë që Rusia u akuzua fuqishëm nga kryeministri malazez Gjukanoviq për ndërhyrje atje në ditën e zgjedhjeve të tetorit të vitit 2016. Madje Prokuroria Speciale atje i akuzoi rusët edhe për planifikim të vrasjes së tij. /FaktePlus