A mund ta rrëzojë Qeverinë vendimi i Gjykatës Kushtetuese?
Për gjithë këto vite të funksionimit të Kosovës si shtet, Gjykata Kushtetuese ka luajtur rol vendimtar në mjaft shumë procese politike. Edhe tani Kushtetuesja ka në duar një rast për shqyrtim dhe pritet të flasë lidhur me kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, i cili po kërkon të interpretohen dy nene, për të parë nëse kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë shkelje kushtetuese.
Presidenca para pak dite e dërgoi Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, pasi po dyshon se është bërë shkelje me rastin e marrjes së vendimit për tërheqjen e pronave nga procesi i privatizimit dhe bartjen e një numri të tyre në pronësi të komunave me shumicë serbe.
Njohës të çështjes i kanë thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se është vendim i duhur dërgimi i Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Presidencës.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se veprimi i presidentit Thaçi është bërë sipas dispozitave e obligimeve kushtetuese që janë të përcaktuara për postin e të parit të vendit.
“Presidenti me nenin 84, e ka për detyrë ose në kompetencë që të kujdeset për funksionimin e institucioneve të Kosovës. Pra, duhet të kujdeset nëse nuk funksionojnë institucionet, gjegjësisht kur ka vendimmarrje të gabuar. Ai ka reaguar mirë dhe Presidenca ka legalitet të plotë për të dërguar aty ku duhet çështjet e tilla”, është shprehur Baraliu.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se presidenti i Republikës e ka të ngarkuar si detyrë me Kushtetutë që të kujdeset nëse institucionet po funksionojnë sipas normave ligjore.
“Edhe çështja e referuar në Gjykatën Kushtetuese që ka për qëllim primar funksionimin kushtetues e demokratik të institucioneve, përfshirë ligjshmërinë e vendimeve, hyn në kuadër të përgjegjësive të Presidentit. Karakteristikë paraqet fakti se e njëjta Qeveri ka marr vendime edhe në të kaluarën që kanë cenuar funksionimin kushtetues të institucioneve të pavarura, por që Presidenti i Republikës nuk e ka zbatuar në praktikë këtë të drejtë”, ka thënë Miftaraj për FaktePlus.
Si do qoftë tani Kushtetuesja e ka në duar rastin për shqyrtim dhe pritet të flasë nëse presidenti ka të drejtë në pretendimet e tij se kryeministri ka bërë shkelje kushtetuese.
Megjithkëtë njohësit e së drejtës kushtetuese thonë se në krahasim me presidentët që bartën pasojat e vendimeve të kushtetueses dhe u detyruar të japin dorëheqje, për rastin e tashëm nuk parashihet me dispozita ligjore që Qeveria të jap dorëheqje edhe nëse konstatohet nga Gjykata Kushtetuese se janë bërë shkelje.
“E njëjta gjë do të duhej të ishte, sepse Qeveria e cila shkelë ligjet, nuk i zbaton ligjet, e ajo është e thirrur dhe dizajnuar me Kushtetutë për zbatim të ligjeve. Rrjedhimisht do të duhet të kishte pasoja. Por këtu në këtë shoqëri s’po dihet kush han e kush pinë. Përndryshe ky nuk është vendimi i vetëm që është marr në kundërshtim me dispozitat ligjore. Po të kishte përgjegjësi, llogaridhënie dhe etikë e moral, do të duhej të kishte pasoja, mirëpo nuk është mirë t’i paraprijmë”, ka thënë Baraliu.
Se ligjërisht edhe nëse Gjykata Kushtetuese konstaton shkelje të aktit me të lartë juridik në vend, Qeveria ligjërisht nuk është e obliguar të jap dorëheqje e thotë edhe Miftaraj, i cili kërkon që reflektimi së paku të ndodh në aspektin moral dhe etikë.
“Përderisa, qeveria nuk është e obliguar ligjërisht të jap dorëheqje nëse konstatohet një gjë e tillë, në aspektin moral dhe etik padyshim se është praktikë e keqe që nuk reflektohet dhe kjo dëshmon kulturën e qeverisjes”, ka thënë Miftaraj.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës tani e ka pezulluar vendimin për kthimin e pronave shoqërore në pronësi të komunave serbe, derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një konstatim për këtë çështje.
Kujtojmë faktin se Gjykata Kushtetuese për gjithë këto vite të funksionimit të Kosovës si shtet ka pasur rol vendimtar në disa procese. Madje Kushtetuesja ka rrëzuar dy presidentë, duke ndikuar kështu me vendimet e saj edhe në prishje të koalicioneve dhe mandej mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndryshe, Gjykatës Kushtetuese i doli punë pasi në mbledhjen e 6 nëntorit të këtij viti, Qeveria ka aprovuar propozimet e Ministrisë së Administrimit së Pushtetit Lokal, që të aprovohen kërkesat e komunave të Mitrovicës së Veriut, Ranillugut dhe Kllokotit për tërheqje nga procesi i privatizimit dhe kthimin në pronësi të komunës të objekteve dhe pronave të paluajtshme me qëllim të realizimit të projekteve të interesit publik./B.Syla-FaktePlus