A kanë të drejtë të vijnë në Kosovë Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi për Vit të Ri?
Tash e dy muaj, ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në Hagë në paraburgim si të akuzuar për krime lufte.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së ndodhen në dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të themeluar nga Kuvendit i Kosovës në vitin 2015 për të trajtuar Luftës e UÇK-së.
Sipas Gjykatës Speciale, të akuzuarit, në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kanë kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.
Tutje sipas konfirmimit të aktakuzës ndër të tjera theksohet se krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Ndonëse Pandemia me COVID-19 ka shfaqur disa kufizime të ndryshme edhe për ta paraburgosurit e Speciales, a kanë të drejt ata të vijnë në familjet e tyre.
Meqenëse jemi në prag të fundvitit, FaktePlus kanë pyetur Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për këtë çështje.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se kërkesa për lirim të përkohshëm duhet të shtrohet nga avokatët mbrojtës më pas të shqyrtohet nga gjykatësi.
“ Avokatët mbrojtës të të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për lirim të ndërkohshëm ose të përkohshëm. Vendimin në lidhje me këto mocione e merr gjykatësi”, ka thënë Griep
Ajo tutje është shprehur se kontaktet e rregullta me familjen, të akuzuarit do t’iu mundësohet përmes videolidhjes.
“ Për të mundësuar kontakte të rregullta me familjen dhe të dashurit edhe gjatë pandemisë së Kovid-19, Dhomat e Specializuara të Kosovës ofrojnë mundësinë e takimeve përmes videolidhjes dhe mbulojnë shpenzimet për një numër të arsyeshëm të telefonatave të të paraburgosurve”, thotë Griep.
Ndryshe në Gjykatën Speciale po qëndron edhe Ish-eprori i UÇK-së nga zona operative e Llapit, Salih Mustafa si dhe ish pjesëtarët e UÇK-së njëherit edhe udhëheqësit e Organizatës së Veterënve, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Këta të fundit të fundit akuzohen për ndërhyrje në drejtësi nga ana e Gjykatës Speciale.
Specialja e akuzon kryetarin dhe nënkryetarin e veteranëve të luftës se përmendën emra të personave që kishin bashkëpunuar me Task Forcën Hetimore Speciale (TFHS), e cila kishte ka kryer hetime penale për pretendimet që përmbante Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), i vitit 2011, me titull “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”.
“Më 16 shtator 2020, Hysni GUCATI dhe Nasim HARADINAJ, përkatësisht në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit të OVL-UÇK-së, mbajtën konferencë për shtyp (‘konferenca e dytë për shtyp’) në të cilën Hysni GUCATI deklaroi se OVL-UÇK-ja kishte marrë një paketë tjetër dokumentesh. Ai u tha të pranishmëve se mund t’i merrnin dokumentet (‘dokumentet e nxjerra gjatë herës së dytë’). Ndërsa po tregonte njërin nga dokumentet, Hysni GUCATI përmendi me emër dy persona që kishin bashkëpunuar me TFHS-në. 14. Nasim HARADINAJ përsëriti emrin e një personi që tashmë ishte përmendur nga Hysni GUCATI, përmendi me emër një person tjetër që kishte bashkëpunuar me TFHS-në, dhe zbuloi informacion konfidencial dhe jopublik të mëtejmë në lidhje me hetimet konfidenciale. Nasim HARADINAJ u tha të pranishmëve në konferencën e dytë për shtyp se dokumentet ishin në dispozicion për të gjithë dhe u tha të pranishmëve që t’i merrnin ato”, thuhet në aktakuzë.
Rreth Dhomave dhe Prokurorisë së Specializuar
Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar në vitin 2015 pas ndryshimeve kushtetuese, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Gjykata Speciale në Hagë
Çka pason konfirmimin e një aktakuze në Hagë?
Që nga 2019-ta, qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.
Qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar janë intervistuar: ish-kryeministri Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Rexhep Selimi, Agim Çeku, Jakup Krasniqi e të tjerë. Disa prej tyre janë mbrojtur në heshtje. /FaktePlus