A ka ushtarë të Kosovës që janë infektuar me koronavirus?- flasin nga Ministria e Mbrojtjes
Sikurse shumica e vendeve të botës edhe Kosova po përballet me pandeminë globale të koronavirusit dhe institucionet e shëndetësisë e sigurisë po bëjnë çmos që të menaxhojnë më situatën dhe të parandalojnë përhapjen më të madhe të koronavirusit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë 145 persona të infektuar me COVID-19, ndërsa nga numri i përgjithshëm janë shëruar 23, kurse fatkeqësisht tre nuk kanë mundur të mbijetojnë.
E nga kjo pandemi po rrezikohet edhe personeli shëndetësor dhe ai i sigurisë. Vetëm nga Klinika Infektive, janë prekur tri infermiere me Covid19 ku njëra prej tyre është në vetizolim.
Pa u përballur me këtë virus shkatërrues nuk kanë mbetur as pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Këta të fundit me ditë të tëra monitoruan ardhjen e qytetarëve të shumtë nëpër kufij, si dhe kontrollet e personave që kanë hyrë në vend.
Policia e Kosovës ka rekomanduar që këta policë të vetizolohen për 14 ditë si masë mbrojtëse.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga Ministria e Mbrojtës, të cilët kanë treguar se a ka ndonjë ushtar apo punonjës i kësaj ministrie me koronavirus.
Ibrahim Shala, zëdhënës në këtë ministri ka pohuar se nuk ka asnjë ushtar të infektuar.
Ai thotë se ky rezultat vjen pasi janë respektuar në përpikëri udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes.
“Deri më tani as FSK dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë ndonjë të dyshuar me infektim nga Koronavirusi. E gjithë kjo është rezultat i respektimit të udhëzimeve për parandalimin e përhapjes së virusit të lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK për personelin i cili është i angazhuar si brenda ashtu edhe jashtë kazermave të FSK-së”, ka thënë Shala.
Ai ndër të tjera ka theksuar se edhe personeli i ministrisë është i pajisur me mjete mbrojtëse në të gjitha hapësirat e ministrisë dhe FSK-së.
“Personeli është i pajisur me mjete mbrojtëse si dhe janë vendosur dezinfektues për pastrimin e duarve në të gjitha hapësirat e MM dhe FSK-së. Gjithashtu, personeli në operacione është i pajisur me mjete standarde mbrojtëse sipas protokollit të sëmundjeve infektive, të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës”, thotë ai për FaktePlus.
Kështu deri tani përveç një ushtari të prekur me COVID 19 që është jashtë vendin nuk ka asnjë tjetër të infektuar në Kosovë.
Sot në Kosovë janë shënuar edhe dy raste tjera që kanë humbur betejën me koronavirusin. Institucionet shëndetësore kanë pohuar se të dyja viktimat kishin edhe probleme të tjera shëndetësore. Deri tani janë tri vdekje nga koronavirusi në Kosovë.
Prej rastit të parë të infektuar gjithsej në Kosovë janë 145 persona, kurse nga ky numër 23 kanë arritur të shërohen dhe disa tjerë janë në rrugë drejt shërimit./FaktePlus
Qeveria në përgatitje të masave të reja lidhur me kufizimin e lëvizjes