A janë zgjedhjet zgjidhje e “lëmshit” VV-LDK?
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dolën fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Por liderët e të dy këtyre partive, nuk po mund ta ndajnë “kulaçin” për bashkëqeverisje.
Presidenti, Ministria e Punëve të Brendshme e Kryekuvendari u bënë “mollë sherri” mes kreut të VV-së, Albin Kurti dhe të parit të LDK-së, Isa Mustafa.
Meqë pas 10 takimesh VV e LDK nuk u morën vesh për një koalicion bashkëqeverisës, doli në “sipërfaqe” që vendi duhet të shkoj në zgjedhje.
Por nga analistët politik dhe kushtetues zgjedhjet nuk do të ishin zgjidhje.
Analisti politik, Imer Mushkolaj për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, thotë se nuk ka arsyeje që vendi të shkoj në zgjedhje.
“Nuk ka arsye me shku në zgjedhje. Ne nuk jemi në krizë të numrave me idenë se nuk po mund të krijohet qeveria shkaku i numrave dhe të shkoj vendi në zgjedhje”, tha Mushkolaj.
E nëse VV dhe LDK nuk po mund të arrijnë marrëveshjen për koalicion, atëherë Mushkolaj thotë se do të ishte e ndershme nëse të dy këto parti të pranojnë që nuk mund të arrijnë marrëveshje dhe të hapin rrugë.
“Por, nëse përnjëmend Vetëvendosje dhe LDK nuk po munden me arrit marrëveshjen, është e ndershme nga to që të thonë, nuk po mundet të arrihet marrëveshja dhe të hapin rrugë. Kjo do të jetë rruga që duhet ndjekur pastaj ose zgjedhjet ose mbase presidenti do të mund ta përdor deskrecionin e tij për t’i dhënë mundësi një subjekti tjetër, që në këtë rast mund të jetë LDK-ja që me dikë tjetër ta krijojë qeverinë. Por është e papranueshme që të vazhdoj kjo tendosje e raporteve mes këtyre dy raporteve dhe të mos të arrihet marrëveshja ndërkohë që zvarritja të vazhdoj dhe të mos kemi as një veprim tjetër të bazuar në kushtetutë”, thekson Mushkolaj.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka thotë se nëse dështon arritja e një koalicioni atëherë do të ishte mirë që të krijohet një Qeveri teknike.
“Ky afat nuk ekziston në Kushtetutë e do të duhet të interpretohet, fundi i fundit do të ishte zgjedhja më e mirë që presidenti t’i adresohej Gjykatës Kushtetuese dhe me kërkesën që ta jep shpjegimin sa më parë sepse vendi është pa qeveri. Dhe nëse do të dështonte formimi i koalicionit me kapacitet për ta formuar qeverinë le të formohet një qeveri teknike e cila do të bënte punën në disa amandatime”, tha Smaka.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ku kryetar i saj u emërua Glauk Konjufca, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i çoi ftesë për takim liderit të VV-së, Albin Kurti, për ta mandatuar.
Por tek pas tre thirrjeve, Kurti pranoi që të shkoj në takim, duke e caktuar vet ditën.
Megjithatë, me 6 janar në ditën kur edhe u bënë tre muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve, Thaçi priti Kurtin në takim.
Por Kurti shkoi duar thatë, ai nuk e kishte emrin e mandatarit, për cka Thaci ia dha ultimatum prej 48 orësh për t’ia dërguar mandatrin. Kohë kjo që nuk përcaktohet me Kushtetutën e Kosovës. Në këtë mënyrë VV shpërfilli këtë ultimatum.
Mirëpo, Smaka thotë Thaçi do të duhet t’i thërras në takim liderët e dy partive fituese.
“Presidentit do të duhet të i thërriste VV-në dhe LDK-në në një takim. Këta të dytë janë në pretendim për ta formuar koalicionin dhe nuk e di pse nuk po i thirr. Të dy t’i i thërras, keni a po nuk keni koalicion? Nëse nuk keni lajmëroni, tregoni dhe shkojnë në kandidatin tjetër dhe pastaj Kurti do të mund të shkonte në koalicion me parti tjera”, thotë Smaka.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, edhe djet ia ka dërguar edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku ka theksuar se është në pritje të përgjigjes së tij, siç kishte premtuar në takimin e tyre konsultativ, por se ende nuk e ka pranuar propozimin e tij.
Pas funksionalizimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Thaçi i ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë e presin funksionalizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presin nga ai si President të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër.
“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.
Kujtojmë se nga 6 tetori i 2019-ës deri dje (09.01.2020), Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar hiç më pak se 10 herë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte mbetur e “befasuar” dhe e quajti të njëanshëm veprimin e Vetëvendosjes në seancën e 26 dhjetorit, edhe pse të gjithë 28 deputetët e kësaj partie votuan për kandidatin e propozuar të VV-së.
Pas këtij veprimi, për LDK-në të gjitha marrëveshjet e deritashme me VV-në kanë rënë në ujë.
Kurse, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetutës të Republikës së Kosovës të vitit 2014, në rolin si iniciues, presidenti i Republikës ka mandat, por edhe obligim kushtetues në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, që t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në kuvend.
Kjo Gjykatë ka theksuar po ashtu që “presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për kryeministër./FaktePlus