A ishte agjent i Rusisë? UNMIK-u nuk e mohon kthimin e rusit në veri përkundër vendimit të Qeverisë
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, ka bërë të qartë se asnjë anëtar i saj nuk do të mund të arrestohet, akuzohet apo gjykohet nga autoritetet e sigurisë vendore për asnjë dyshim të ngritur.
Kjo vjen si përgjigje ndaj arrestimit të zyrtarit të UNMIK-ut, Mikhail Aleksandrovich Krasnoschenkov, nga njësitet e Policisë së Kosovës dhe shpalljes mandej të tij si person non-grada nga Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, nuk e ka pohuar por as mohuar kthimin në Kosovë të shtetasit rus, Mikhail Krasnoschenkov, i cili u arrestua me 28 maj nga Njësia Speciale e Policisë në Zubin Potok.
Dolatshahi ka thënë se Krasnoschenkov, i cili mori trajtime mjekësore në Spitalin e Beogradit, siç thotë pas përdorimit të tepruar të dhunës nga policia me rastin e arrestimit, momentalisht është duke qëndruar atje me familjen e tij.
“Stafi i OKB-së në fjalë po kryente përgjegjësitë e tyre për të monitoruar dhe raportuar për një situatë të zhvilluar, në përputhje me mandatin e UNMIK-ut. Duke marrë parasysh faktin se OKB tashmë është përfshirë në hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta që kanë të bëjnë me arrestimin dhe lëndimet e dy anëtarëve të stafit, Misioni nuk do të komentojë ose do të karakterizojë detajet që raportohen publikisht, nga çdo burim, në këtë fazë”, ka thënë ajo.
Zyrtarët e UNMIK-ut kanë kontestuar edhe deklaratat e drejtueseve të Policisë së Kosovës, që kanë dhënë si arsyetim për arrestimin e rusit.
Nga UNMIK-u thuhet se informacioni i paraqitur nga Policia në konferencë për shtyp nuk është aspak në përputhje me informacionin mbi ngjarjet që ndodhën me 28 maj, shkruan FaktePlus.
“Si do qoftë, mund të vërejmë se informacioni i paraqitur nga Policia e Kosovës në deklaratën e saj të fundit për shtyp nuk është aspak në përputhje me informacionin tonë mbi ngjarjet dhe asnjë provë konkrete deri më tani nuk është ndarë me Kombet e Bashkuara nga njësia përkatëse e Policisë së Kosovës dhe autoritetet tjera të Kosovës”, ka thënë zyrtarja Dolatshahi.
Ajo tutje ka shtuar se njësitet speciale të policisë kanë përdorur edhe dhunë të tepruar ndaj zyrtarit të saj në momentin e arrestimit të tij.
“Ne përsërisim se, pavarësisht nga faktet tjera, është shumë e qartë se të drejtat e pacenueshme të imunitetit të dy anëtarëve të stafit nga arrestimi dhe paraburgimi janë shkelur, së bashku me protokollet e tjera, pavarësisht nga identifikimi i qartë i këtyre personave si stafi i Kombeve të Bashkuara. Provat sugjerojnë përdorimin e tepërt dhe të pajustifikuar të forcës nga policët arrestues”, ka thënë ajo.
Ndërkaq sa i përket shpalljes së zyrtarit të UNMIK-ut Aleksandrovich Krasnoschenkov si person non- grada nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Dolatshahi është shprehur se kjo nuk do të vlejë në këtë rast.
“Siç është nënvizuar nga zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm gjatë konferencës së datës 31 maj, se doktrina e personave non-grada nuk zbatohet për personelin e Kombeve të Bashkuara. Doktrina zbatohet për agjentët diplomatikë të akredituar nga një shtet në një tjetër në kontekstin e marrëdhënieve të tyre dypalëshe, Kombet e Bashkuara nuk janë shtet dhe personeli i tyre nuk akreditohet në shtetet ku ata janë të vendosur, por punojnë nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm”, ka thënë në fund zëdhënësja e UNMIK-ut Doltshahi.
Punëtori i UNIMIK-ut me nënshtetësi ruse është arrestuar më 28 maj gjatë aksionit të njësiteve speciale të policisë në pjesën veriore, pasi që me makinën e tij është vendosur si barrikadë në rrugë, në mënyrë që të pengoj aksionin policor.
“Ai ka vendosur edhe makinën e tij në rrugë bashkë me serbët duke bërë barrikadë dhe penguar Policinë e Kosovës që të kryejnë operacionin në veri të Kosovës. Për këtë arsye edhe e kemi shoqëruar në polici”, pati deklaruar vetë drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Kurse më 31 maj kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri të ditur se shtetasi rus, Mikhail Aleksandrovich është shpallur person non-grada, pasi është kapur nga forcat e rendit duke bërë veprime kundër rendit kushtetues të Kosovës.
“Vendimi është marrë ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019. I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin”, ka thënë Haradinaj.
E vetëm një ditë para se institucionet e Kosovës ta shpallin person non-grata, ishte zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani që pohoi se ky punëtor i UNMIK-ut, ka shërbyer më herët për Shërbimin e Inteligjencës ruse.
Madje Ramadani vlerësoi se ky ishte një tentim i Rusisë për të destabilizuar Kosovën duke ndezur një konflikt etnik, por që fatmirësisht dështoi.
Ndërkaq Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, ka deklaruar të mërkurën se institucionet e Kosovës nuk do të bashkëpunojnë më me misionin e UNMIK-ut, pasi ky mision është bërë përkrahësi kryesor i krimit të organizuar në veri të Kosovës.
“Misioni i UNMIK-ut është bërë përkrahësi kryesor i krimit të organizuar në veri të Kosovës. Është zyra e saj në veri që bashkëpunon më kriminelët dhe grupet që synojnë të dëmtojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe të pengojnë rendin dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Zyberaj.
Sipas tij, ngjarjet e javës së kaluar dhe mënyra sesi UNMIK-u e trajton këtë rast e tregon këtë në mënyrën më të mirë.
“Institucionet e Kosovës nuk do të bashkëpunojnë me UNMIK-un, pasi ky mision po krijon pengesa për sundimin e ligjit dhe rendit”, ka thënë ai./FaktePlus