A i ka opozita votat dhe si mundet ta rrëzojë Qeverinë “Haradinaj”?
Deri tani partitë më të mëdha opozitare nuk kanë mundur të koordinohen dhe së paku të provojnë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë “Haradinaj”. Por, sot liderët opozitar nga LDK, Vetëvendosje dhe PSD kanë shprehur së paku vullnet për të bashkëpunuar për rrëzimin e qeverisë.
Në muajin maj të vitit 2017 Qeveria e “Isa Mustafës” është rrëzuar me mocion mosbesimi që ishte iniciuar nga opozita. Nga gjithsej 115 deputetë sa ishin në sallën e Kuvendit të Kosovës, 78 vota ishin për rrëzimin e Qeverisë në krye me Isa Mustafën.
E ky i fundit tani në të njëjtën mënyrë po tenton që ta rrëzojë Qeverinë “Haradinaj”. Mustafa po kërkon inicimin e një mocion mosbesimi përmes të cilës do t’i jepte fund qeverisjes aktuale.
Për këtë, i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa gjatë ditës së sotme ka ftuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti që të bashkërendojnë veprimet e tyre për t’i dhënë fund Qeverisë “Haradinaj”.
Por edhe sikur të tri këto parti të bashkërendojnë veprimet dhe qëndrimet e tyre karshi kësaj iniciative, sërish nuk do të mund t’i sigurojnë 61 vota. Kështu rrëzimi i Qeverisë “Haradinaj” mbetët në duart e Listës Serbe.
Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se kjo iniciativë është e kahershme, por që asnjëherë opozita nuk i siguroi votat për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”.
“Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë është e kahershme, por asnjëherë nuk i ka siguruara votat dhe asnjëherë nuk është proceduar. Zyrtarisht Isa Mustafa i ka votat vetëm të procedojë në Kuvend, sepse duhet 40 vota, por nuk i ka 61 vota për të rrëzuar qeverinë. Që të rrëzohet Qeveria duhet vota e gjithë opozitës dhe plus një parti e pozitës, ose Lista Serbe, ose NISMA, ose vetë Aleanca me rrëzu ose PDK, pa njërën prej këtyre partive nuk do të mund të rrëzohet Qeveria ose pa propozime, apo votime individuale” , tha Tahiri.
Megjithatë, rënia e Qeverisë para qershorit, nuk do t’u shkonte për shtati as deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pasi që siç thotë Tahiri, tek pas muajit qershor deputetëve do t’iu sigurohen benifitetet të cilat do t’i gëzojnë edhe atëherë kur nuk do të jenë më deputetë.
“Anën tjetër deputetët deri në qershor nuk janë të interesuar ta rrëzojnë Qeverinë, sepse duan të bëjnë dy vjet mandat. Ata duan të bëjnë dy vjet mandat, sepse një vit u takon kompensimi i pagës, tani e vazhdojnë. Do të thotë ende nuk i kanë bërë dy vite deputetët”, potencoi Tahiri.
Edhe Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se LDK, Vetëvendosje dhe PSD nuk do të mund ta rrëzojnë Qeverinë “Haradinaj” pa votat e Listës Serbe apo ndonjë partie të pozitës.
“Nëse edhe të tri subjektet politike do të dakordoheshin për një mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë prapë nuk i kanë votat e nevojshme. Edhe në rast se Lista Serbe veç e ka shpreh gatishmërinë e ofrimit të votave për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, ka një pozicion të Vetëvendosjes dhe një pjese të LDK-së që nuk do ta rrëzojnë Qeverinë me votat e Listës Serbe. Nëse këta pranojnë që ta rrëzojnë Qeverinë me votat e Listës Serbe kjo do të ishte shumë e mundshme, sepse do të bënin votat e mjaftueshme sa për t’i dhënë fund mandatit të kësaj Qeverie dhe këtij koalicioni. Vetëm deputetët e LDK-VV dhe PSD nuk mjaftojnë pra nuk i bëjnë 61 votat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë”, tha Murati.
Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj është votuar dhe ka marrë detyrën më 9 shtator të vitit 2017. Kjo qeveri mori detyrën duke siguruar vetëm një shumicë të thjeshtë të votave, respektivisht e votuan vetëm 61 deputetët dhe 1 pati abstenuar.
Kjo qeveri prej daljes nga Kuvendi të Listës Serbe, shpeshherë është përballuar me mungesë të shumicës së thjeshtë të votave në Kuvend për të kaluar nismat e saj, por njëjtë shumicë të votave për të rrëzuar qeverinë nuk po arrin të sigurojë as opozita./FaktePlus