A është i nevojshëm një Stadium Nacional për Kosovën dhe ku të ndërtohet?
Debati për Stadiumin Nacional të Kosovës nuk ka të ndalur. I duhet apo jo Kosovës ky stadium, çfarë kapaciteti duhet të ketë dhe kryesorja ku do të ndërtohet, janë çështjet që kanë nxitur reagime të shumta e akuza për racizëm. E gjithë këto erdhën pas një deklarate të zyrtarit të LDK-së Lumir Abdixhikut, i cili tha se është vendosur që sërish të ndërrohet lokacioni për stadiumin kombëtar të futbollit.
Se Kosova ka shumë nevojë për një stadium të madh e pohojnë të gjithë, si njohës të rrethanave politike e ata nga fusha e sportit, të cilët mendojnë që duhet të investohet më shumë në sport, e jo të jepen deklarata të tilla si ajo e Abdixhikut.
Afrim Toverlani, trajner i futbollit dhe analist, thotë se nuk është për ngut ndërtimi i një stadiumi nacional, pa marrë parasysh vendin se ku do të ndërtohet.
Madje sipas tij, prioritet duhet të ketë zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri” dhe përfundimi i stadiumeve në Mitrovicë, Gjilan e atij në Drenas.
“Sipas meje d.m.th një shumë e përmendur rreth 50 e diçka milionë euro, më mirë është me shtu kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri”, pastaj me vazhdu rregullimin e atij stadiumi që është duke u rindërtu në Drenas, me rinovu stadiumin e Mitrovicës, në Pejë, në Gjilan edhe ndonjë stadium tjetër, pse mos t’i kemi 4-5 stadiume me kapacitete të ndryshme të ulëseve, sepse duhet ta dini që edhe seleksionet e tjera kanë me zhvillu ndeshje: U17, U19, U21, pastaj ekipet e femrave dhe sipas meje jo me investu vetëm në një stadium, por me i rregullu disa stadiume, është shumë më mirë”, ka thënë Toverlani për FaktePlus.
Po ashtu, ai tha se imediate për momentin është me u ndërtimi i kampit ku tubohen të gjitha grupmoshat edhe seleksionet e Kosovës, edhe të meshkujve edhe të femrave dhe aty të jetë hoteli, pishina, restoranti etj.
Sipas Toverlanit, përveç këso deklarata si ditët e fundit politika pas luftës nuk ka bërë asgjë për sportin në Kosovë.
“Me të kallxu të drejtën, politikanët nuk kanë bërë kurrgjë prej pas luftës e këndej për sportin, në veçanti futbollin. Një stadium s’kanë qenë në gjendje me e rinovu për shumë e shumë vite, është dashtë me shku Kosova me i zhvillu ndeshjet në Shqipëri, sepse s’ka pasë stadium të vetin”, ka deklaruar trajneri.
Por, kështu nuk mendon edhe Ajet Shosholli, ish- trajner dhe analist i futbollit.
Ai ka thënë se stadiumi nacional është i nevojshëm për Kosovën dhe nuk do të ishte e tepërt që krahas stadiumeve tjera, Kosova ta kishte edhe stadiumin e saj nacional, pa marrë parasysh ku e si do të ndërtohet.
“Ne për momentin i kemi dy stadiume: ‘Fadil Vokrrin’ i cili po dihet që i plotëson kushtet apo të themi ashtu kategoria e 4 për ndeshje ndërkombëtare si dhe ‘Adem Jasharin’ në Mitrovicë, i cili me këtë investimin që planifikohet prej 10-12 milionë eurosh, po ashtu do t’i përmbushë ato kriteret e kategorisë së 4, pra do të jetë objekt për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Edhe një stadium nacional nuk është i tepërt, por ajo çka është bërë po mendoj e ku do të ndërtohet, si do të ndërtohet unë po mendoj që nuk është shumë me rëndësi, është me rëndësi që atë stadium ta kemi”, ka thënë Shosholli për FaktePlus.
Sipas tij, për sportin nuk është bërë pak, por duhet të bëhet edhe më shumë pavarësisht kush vjen në Qeveri.
“Posaçërisht dy vitet e fundit mendoj se shteti ka qenë në mbështetje të sportit e posaçërisht në mbështetje të kombëtares sonë të futbollit. Pra, mendoj se edhe organet shtetërore e kanë mbështetur kombëtaren. Besoj që në të ardhmen do të bëhet edhe më tepër sepse thojnë që sporti është ambasadori më i mirë i vendit. Ne e kemi ba si refren, por kjo është e vërteta dhe duhet të bëhet sa më shumë pavarësisht kush është në Qeveri”, ka shtuar tutje ai.
E ajo që nxiti reagime më të mëdha ka qenë deklarata e zyrtarit të LDK-së Lumir Abdixhikut, i cili tha se është vendosur që sërish të ndërrohet lokacioni për stadiumin kombëtar të futbollit.
Këtë shumëkush e pa si ‘hakmarrje’ ndaj PDK-së e cila tradicionalisht ka pasur mbështetje të madhe në rajonin e Drenicës. Madje u ironizua me të madhe edhe në rrjete sociale.
Njohësi i zhvillimeve politike, Shkodran Ramadani nuk e mohon që është zhvilluar një ‘luftë’ krahinore. Sipas tij, tema rreth këtij debati është e shtrembërume, prej argumenteve racionale e deri tek paragjykimet krahinore.
“Këtu ka edhe një prapavijë paksa krahinore për shkak që po besojnë se PDK-ja ka vendos për me u ndërtu në Drenas për shkak të ndikimit që e ka në këtë rajon. Kjo nuk do të thotë që duhet të jetë vetëm në Prishtinë stadiumi për shkak që shumë kombëtare të tjera nëpër botë si Portugalia e kanë stadiumin nacional larg kryeqytetit. Në vende të tjera edhe e ndërrojnë, herë me një vend e herë me një tjetër, por te na mundet me qenë kudo, nuk është tragjedi, por është e vërtetë që në këtë mes ka edhe luftë krahinore”, ka potencuar Ramadani për FaktePlus.
Sa kushton stadiumi?
Kujtojmë që tenderin për ndërtimin e stadiumit e ka fituar kompania turke ‘Tabanlioglu Architects’ e cila e ka dizajnuar edhe projektin ideor. I tërë projekti pritet të kushtojë afër 50 milionë euro.
Po ashtu, sipas një njoftimi të ministrisë para pak ditësh, është bërë e ditur se është finalizuar i tërë projekti, prona i ka kaluar të gjitha procedurat e duhura, është kryer fizibiliteti e janë bërë shpimet e gropave.
Kosova momentalisht e ka vetëm një stadium të licencuar me kriteret dhe standardet e UEFA-s: “Fadil Vokrrin”, stadium i kategorisë së katërt në të cilin i luan ndeshjet përfaqësuesja e Kosovës me kapacitet prej 13 mijë e 500 ulësesh.
Ndërsa stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, muajin e kaluar u bë e ditur se iu kishte hequr licenca nga UEFA dhe e tëra kjo pas kushteve të mjerueshme dhe lënies pas dore.
Kësisoj në atë terren nuk mund të zhvillohet asnjë ndeshje ndërkombëtare e tek në mars të vitit të ardhshëm do të riaplikohet për licencim.
Me situatën aktuale, në rrezik është edhe “Fadil Vokrri”. Kujtojmë që FFK-ja kohë më parë kishte dhënë një ultimatum për ekipet e Superligës që deri më 2020 të kenë stadiume të kategorisë së dytë të UEFA-s.
Historia për stadiumin kombëtar të futbollit
Zona ekonomike e Drenasit me një vendim të Qeverisë ‘Haradinaj’ në dhjetor të vitit 2017 ishte caktuar si lokacion ku do të ndërtohej stadiumi nacional i reprezentacionit të Kosovës në futboll.
Ky vendim kishte shfuqizuar një vendim të Qeverisë ‘Thaçi’, e cila në mars të vitit 2014 kishte vendosur që ky stadium të ndërtohej në Prishtinë, më saktësisht në Bërnicë.
Planin që ky stadium më pas të ndërtohej në Bërnicë të Poshtme e kishte përkrahur edhe qeveria Mustafa. Për atë stadium ishte siguruar edhe toka prej 37 hektarësh dhe ishin paraparë rreth 30 mijë ulëse.
Por disa konteste pronësore që ishin në atë pjesë, shpronësimet e rritja e kostos bën që ajo të zhvendosej në Korroticë të Drenasit. Aty u konsiderua se ishte pozitë më e mirë gjeografike dhe se s’kishte probleme të tilla.
E vetëm pak kohë pas kryerjes së disa punëve të stadiumit, është deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që ‘ngjalli’ këtë temë më një deklaratë të tij, kur tha se janë dakorduar me LVV-në që ky stadium të ndërtohej në Bërnicë.
Reagime të shumta u shfaqën pastaj nga opinioni, shumëkush prej të cilëve e konsideruan si vendim me prapavijë krahinore e si ‘hakmarrje’ ndaj qytetarëve të asaj pjese. Kjo nuk mohohet as nga njohës të rrethanave politike ndërsa nga fusha e sportit mendojnë që duhet të investohet më shumë në sport në vend që të jepen deklarata të tilla./FaktePlus