A është e vërtetë që “nga Kosova po largohen rreth 170 persona në ditë”?
“170 persona e lëshojnë Kosovën në ditë”. Këtë deklaratë e ka dhënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ish-ministre e Financave në Qeverinë e Avdullah Hotit.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dha një shifër alarmante kur foli për ikjen e qytetarëve nga Kosova. Më 25 qershor, në emisionin Context, ajo pohoi se 170 persona në ditë e lëshojnë Kosovën dhe këto shifra ia ka atribuuar ambasadave të huaja në Prishtinë, duke thënë se ka marrë informacione nga to.
“Ka një ikje të madhe. Sipas të dhënave që ne posedojmë diku rreth 170 persona ikin në Kosovë brenda ditës, dhe kjo është për shkak të mungesës së prosperitetit… Ashtu janë të dhënat sipas ambasadave të Republikës së Kosovës, kështu thonë ambasadat e huaja që janë të akredituara në Prishtinë”, u shpreh Bajrami.
Klasifikimi: Shifër e pakonfirmuar
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pohojnë se çdo ditë nga Kosova largohen rreth 170 persona, por asnjë Ambasadë e akredituar në Kosovë, të cilave nga kjo parti i janë atribuuar, e madje as Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë informacione të tilla.
As Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informatë se 170 persona në ditë largohen nga Kosova, për t’u mos u kthyer.
Arsyetimi dhe faktet
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përveçse ka thënë se shifrën prej 170 personash në ditë që largohen nga Kosova e ka marrë nga Ambasadat e akredituara në Kosovë, më vonë tha se kur flet për këto shifra, “bazohet në atë që raportojnë mediat” në Kosovë.
As ambasadat nuk ia kanë konfirmuar këtë pretendim, dhe as mediat në Kosovë nuk e kanë raportuar një gjë të tillë.
Reporteri.net ka kërkuar një sqarim rreth kësaj deklarate nga të gjitha ambasadat e akredituara në Prishtinë. Ambasada gjermane, e ka demantuar këtë deklaratë duke thënë se as nuk posedon informacione të tilla.
“Ambasada gjermane nuk ka të dhëna që do të konfirmonin pretendimin në fjalë. Ambasada Gjermane mundet – sigurisht – të komentojë vetëm lëvizjet e qytetarëve kosovarë në Gjermani”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane për gazetën online Reporteri.net.
Deri në publikimin e këtij artikulli, ambasadat tjera në Prishtinë nuk janë deklaruar.
Reporteri ka kontakuar sërish deputeten Bajrami të enjten më 27 qershor, për ta sqaruar edhe njëherë deklaratën e saj. Ajo përveçse insistoi jo bindshëm – që këto të dhëna i ka marrë nga ‘burimet’ nëpër ambasada, topin u mundua ta hedhë edhe tek mediat në Kosovë, duke thënë se “ato i kanë raportuar shifrat”, gjë që nuk qëndron.
“Të dhënat i kam marrë në parti, i kemi burimet, mundesh me kontaktu Besian Mustafën edhe të tregon si i kemi të dhënat. Kur kam thënë 170 persona, e kam llogaritur numrin e banorëve që janë më pak në tri vitet e fundit, ndërkohë kam folur që ambasadat me të dhënat që ju mediat vet krejt i keni raportuar se ne shumicën e informatave i marrim prej juve – kanë qenë diku 50 deri 52 mijë aplikime veç në ambasadën gjermane brenda vitit për viza pune”, u shpreh Bajrami.
Në momentin kur Bajrami u pyet përmes telefonit se si ka marrë informacione të tilla nga ambasadat, deputetja e ka ndalur telefonin.
Gazeta online Reporteri.net ka kërkuar një sqarim shtesë edhe nga zëdhënësi Besian Mustafa, për të kuptuar nga rodhën këto informacione, por pavarësisht thirrjeve dhe pyetjeve zyrtare në e-mail adresë, ai nuk është prononcuar.
Viza pune po – por jo largim nga Kosova
Gazeta online Reporteri.net ka komunikuar me një zyrtar brenda ambasadës gjermane në Prishtinë i cili ka thënë se sa i përket vitit 2024 për viza Schengen, statistikat zyrtare publikohen vetëm nga Ministria e Jashtme Federale dhe atë në fillim të vitit 2025.
Zyra Federale Gjermane, sipas të njëjtit, publikon vetëm numrin e vizave Schengen të lëshuara dhe jo aplikimeve.
Nga ajo që ka parë gazeta online Reporteri.net, gjatë vitit 2023 janë lëshuar 56.194 viza Schengen për qytetarët e Kosovës nga kjo ambasadë.
Deklaratat e njëjta të eksponentëve në LDK
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxjerrë shifra në publik por burimi nuk i dihet. Edhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, para rreth një jave, ka deklaruar njësoj se 170 persona në ditë po ikin nga Kosova.
“Një javë plot propagandë e dyshes Bislimi-Murati. Bislimi: Kosova po lulëzon ekonomikisht. Vetëm gjyshet po shkojnë për vizita në Evropë. Realiteti: Mesatarisht, 170 persona ikin nga Kosova në çdo ditë të qeverisjes së kësaj Qeverie”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.
Gazeta online Reporteri.net ka tentuar të marrë më shumë sqarime edhe nga Rukiqi, por ka qenë i pamundur kontakti me të.
Por gati rreth 1 muaj më parë, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosovën çdo ditë po e lëshojnë rreth 173 persona, 1000 në javë dhe në vit 50 deri 60 mijë.
“Sot teksa flasim 173 të rinj dhe të reja e lëshojnë vendin tonë, për një javë bëhen 1000 persona. Për një vit bëhen 50 mijë deri 60 mijë persona që e lëshojnë Kosovën, me viza pune po flas. Këto janë të dhëna zyrtare”, kishte thënë Abdixhiku në Pressing, më 20 maj 2024.
Nga asnjë parti tjetër nuk flasin për shifra të tilla të ikjeve të të rinjve nga Kosova, ndërkaq, partia në pushtet dhe vet Qeveria e Kosovës, pohojnë se nuk ka ikje të të rinjve nga Kosova madje as pas liberalizimit të vizave.
Lëvizjet nën monitorimin e BE-së
Liberalizimi i vizave për Kosovën hyri në fuqi më 1 janar. Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen dhe janë të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në këtë zonë.
Bashkimi Evropian në anën tjetër monitoron sidomos numrin e keqpërdorimeve të lëvizjes së lirë, me fokus të veçantë në qëndrimin përtej afatit të lejuar, angazhimin ilegal në tregun e punës dhe angazhimin në veprime kriminale.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.
Deri në këto momente, nga BE-ja nuk janë deklaruar për keqpërdorime të lëvizjes.