A e tërhoqi sot edhe një shtet njohjen e Kosovës, flasin nga MPJ
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës i janë përgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili sot gjatë ditës ka thënë se Republika e Naurus ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka thënë për FaktePlus se nuk kanë komunikuar me Republikën e Naurus, duke shtuar se që të dyja vendet kanë marrëdhënie diplomatike.
“Ne nuk kemi marrë asnjë komunikim dhe dy vendet tona kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, ka thënë Zyberaj.
Sipas, tij institucionet e Kosovës nuk i komentojnë deklaratat që vijnë nga Beogradi.
“Kosova nuk bën komente për dokumentet dhe deklaratat që shpallen nga Beogradi dhe që si në të kaluarën si në rastin e Republikës së Afrikës Qendrore ryshfetet janë përdorur për të lëshuar dokumente dhe për të bërë deklarata që janë hedhur poshtë nga qeveritë e veta më vonë”, ka deklaruar ai.
Zyberaj, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po punon përmes kanaleve diplomatike me të gjitha shtetet.
Sot gjatë ditës ministri Ivica Daçiq, ka deklaruar se Republika e Naurusë ka vendosur sot ta tërheq njohjen e Kosovës dhe do t’i ndërpresë të gjitha kontaktet diplomatike që kishte deri më tani me Kosovën.
Ai ka thënë se në notë, të cilën ia dorëzoi zëvendës ministri i jashtëm i Naurusë, tek ambasada serbe në Australi, thuhet se Republika e Naurusë ka rënë në përfundim se vendimi për njohje ishte në shkelje me principet e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Në notë thuhet se Republika e Naurusë ka analizuar vendimin për njohjen e Kosovës dhe ka vendosur ta tërheq njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe do t’i ndërpresë të gjitha kontaktet diplomatike me Kosovën që kishte deri më tani”, deklaroi mes tjerash Daçiq./FaktePlus