A e tërhoqi Sierra Leone njohjen e Kosovës, flasin nga Ministria e Punëve të Jashtme
Zyrtarët serb po vazhdojnë lobimin e tyre në shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Së fundi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se shteti i fundit që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës është Sierra Leone, përcjell FaktePlus.
Ai këtë e ka bërë të ditur sot, pasi që është edhe duke qëndruar për vizitë zyrtare në këtë shtet.
“Me një kënaqësi të veçantë mund t’ua tregoj notën e ministrisë së Jashtme, në të cilën theksohet se Sierra Leone tërheq njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe se do t’i respektojë rezultatet e dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE-së dhe OKB-së”, ka thënë Daçiqi.
Sipas shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, prej 193 shteteve anëtare të OKB-së, 92 shtete e njohin pavarësinë e Kosovës, 96 nuk e njohin atë, përderisa pesë shtete ndodhen në një gjendje fluide, përkatësisht e njohin Kosovën, por nuk votojnë më për të.
“Kjo do të thotë se Kosova nuk e ka më shumicën në OKB”, ka thënë Daçiqi.
Mirëpo, këto deklarata të Daçiqit I ka hedhur poshtë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
Këshilltari politik për marrëdhënie me media në këtë ministri, Ilir Kërçelli, ka thënë për FaktePlus se ende nuk kanë pranuar asnjë informatë zyrtare lidhje më këtë çështje.
“Nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare kështu që ende nuk ka diçka në lidhje me këtë a ka ndodhë apo jo”, ka thënë ai.
Kërçeli, ka deklaruar se secili shtet që e tërheq njohjen njofton me shkresë zyrtare, por se kjo nuk ka ndodhur me Sierra Leone.
“Zakonisht është dashur me na njoftu me një shkresë zyrtare për tërheqje”, ka thënë ai.
Që nga viti 2017, Serbia ka bërë fushatë agresive diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.
Ministria e Jashtme e Serbisë ka deklaruar se deri më tash 18 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës./FaktePlus