A e shkeli Thaçi kushtetutën me marrëveshjen që FSK-ja të mos shkojë në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me Implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Përmes kësaj marrëveshje, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.
Por, a ka pasur të drejtë në atë kohë kryeministri Hashim Thaçi, të nënshkruajë një marrëveshje të tillë pavarësisht që FSK-ja atëherë ka qenë vetëm organizatë e emergjencave civile.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë për FaktePlus, se kjo marrëveshje nuk ka qenë e fshehtë.
“Ne si opinion e kemi ditë këtë marrëveshje sepse disa herë është thënë ku ka pasur tentativa ose deklarata nga liderë të ndryshëm që FSK-ja, të shkojë atje dhe të kalojë kufirin ka reaguar edhe KFOR-i duke thënë që nuk mund të dilet andej sepse është një marrëveshje”, ka thënë Baraliu.
Sipas tij, askush nuk ka të drejtë ta vë në pyetje shtrirjen e sovranitetit nga institucionet e vendit.
“Faktisht këtë është dashur ta dijnë të gjithë që ka diçka të tillë, qoftë edhe ata që tani janë në pozitë e kanë qenë në opozitë kanë mundur atëherë ta inicojnë këtë çështje dhe ta hulumtojnë dhe e dyta po nga këndvështrimi i kundërt i kësaj që thashë kushdo që të ketë vepruar ose veprojë në një moment të caktuar në ushtrimin e detyrave insitucionale në kundërshtim me Kushtetutën e cila thotë se askush nuk ka të drejtë ta vë në pyetje në këtë rast ta kufizojë shtrirjen e sovranitetit nga institucionet e vendit ani pse FSK-ja atëherë ka qenë dhe është e definuar si organizatë e emergjencave civile megjithatë ajo funksionet e saja mund t’i kryejë në të gjithë vendin dhe kjo thuhet edhe me kushtetutë, pra nuk mundet askush në emër të një institucioni ta kufizojë shtrirjen institucionale të sovranitetit apo në cilën do pjesë të territorit”, ka thënë ai.
Ndërsa, i pyetur rreth asaj se a mund të kërkohet shkarkimi i presidentit Hashim Thaçi, në bazë të kësaj marrëveshje, Baraliu ka thënë se kjo është çështje që duhet të trajtohet dhe të vlerësohet nga Kuvendi i Kosovës.
“Tash e tutje është çështje e Kuvendit që ta trajtojw këtë çështje dhe ta vlerësojë se si duhet vepruar”, ka thënë ai.
Shkresa e Kurtit i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi./FaktePlus