A e dini sa telefona vijnë në Kosovë brenda një viti?
Ankohen se nuk kanë jetë të mirë shkaku i të ardhurave të vogla, por kur vjen puna për telefona i gjejnë paratë. Për vetëm brenda një viti, kosovarët kanë blerë nga vendet e huaja rreth 70 mijë telefona. Ndërsa gjatë tre muajve të parë të këtij viti në Kosovë kanë hyrë mbi 16 mijë telefona. E gjithë këta telefona kanë një kosto prej më shumë se 10 milionë euro.
Se kosovarët janë meraklinj të markave më të reja të telefonave mobil, flasin edhe statistikat. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës brenda një viti në Kosovë hyjnë rreth 70 mijë telefona.
Kurse, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti në Kosovë kanë hyrë mbi 17 mijë telefona.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci i tha Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se vlera e telefonave të importuar kap shumën e rreth 2 milionë eurove.
“Derisa këtë vit kemi 16 mijë e 259 copë me vlerë rreth 2 milionë euro, taksat janë rreth 1 milion euro”, ka thënë ai.
Stavileci ka treguar se gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë rreth 70 mijë telefona të mençur.
“Në vitin 2018 kishim import prej 69 mijë e 499 telefona me vlerë rreth 9 milionë euro, kurse taksat e paguara ishin 5.3 milionë euro”.
Vendet e origjinës së këtyre telefonave janë të ndryshme, por që kryesojnë vendet aziatike. Bazuar në statistikat e Doganës vendi prej të cilit importohen më së shumti telefona është Kina, pasuar nga Vietnami e Korea Jugore.
Në tri vitet e fundit, në Kosovë kanë hyrë më shumë se 241 mijë telefona. Rreth 85 mijë telefona janë importuar në vitin 2017, pasuar nga 2016-ta me 82 mijë dhe 2015-ta me 74 mijë telefona.
Ndryshe, numri i kosovarëve që përdorin telefon mobil është më i madh se sa është edhe numri i popullsisë.
Sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, ky numër ka arritur 1,981,365 përkatësisht për 13 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kurse bazuar në shifrat e Doganës së Kosovës, dhënë për FaktePlus, shihet se kosovarët janë meraklinj edhe të veturave dhe nuk kursehen as për to.
LEXO: Kosovarët harxhuan për dy muaj 25 milionë euro për të blerë vetura
Statistikat tregojnë se vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit 2019 janë importuar 2 mijë e 374 vetura të përdorura, kurse janë 372 copë vetura të reja.
E vlera e përgjithshme e këtyre automjeteve llogaritet se është rreth 25 milionë euro./FaktePlus