A do të vijnë në dhjetor arrestimet e para nga Specialja, flet avokati Tomë Gashi
Muaji dhjetor nuk pritet të sjell ndonjë arrestim të mundshëm nga Gjykata Speciale. Ishte folur gjatë se fundi i vitit mund të sjell edhe arrestimet e para nga kjo gjykatë por që një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as muajt e ardhshëm.
Avokati Tomë Gashi ka shpjeguar se të gjithë ata që kanë deklaruar se në dhjetor priten arrestimet e para nga Gjykata Speciale, besoj që e kanë thënë pa asnjë informatë të konfirmuar nga zyra e prokurorit special në Hagë apo nga Gjykata Speciale e cila po ashtu është në Hagë-Holandë.
“Është pak sa jo serioze që dikush të flet më data apo më muaj se kur do të fillojnë arrestimet, sepse këtë askush nuk e din përveç zyrës së prokurorit special, i cili pas përfundimit të hetimeve apo gjatë hetimeve benë kërkesë për arrestimin-paraburgosje e dikujt dhe kushtet për arrestimin-paraburgimin e kujtdo të dyshuar për vepra penale në kompetencë të gjykatës speciale janë të përcaktuara më ligj dhe për arrestimin e dikujt të dyshuar vendos zyra e prokurorit special, ndërsa për paraburgosjen e dikujt vendos gjyqtari kompetent i Gjykatës Speciale në Hagë” ka shpjeguar avokati.
Gashi ka shpjeguar se aludimet e ndryshme se arrestimet mund të ndodhin në muajin dhjetor janë më tepër hamendje por në asnjë mënyrë dëshirë e dikujt.
“Të gjitha këto aludime se arrestimet e para do të ndodhin në dhjetor mund edhe të ndodhin por janë me tepër hamendje, por në asnjë mënyrë dëshirë e dikujt, kushdo qoftë ai, sepse asnjë shqiptar nuk e dëshiron këtë, por është e paevitueshme se një ditë do të ndodhin këto arrestime-akuzime, paraburgosje dhe gjykime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për shkak se kështu kanë vendosur deputetet e Kuvendit të Kosovës me 03.gusht 2015 kur kanë votuar Gjykatën Speciale jashtë territorit të Kosovës, një gjykatë raciste kundër shqiptarëve në përgjithësi, kundër shqiptarëve të Kosovës në veçanti, e posaçërisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kështu që tani për tani kjo është punë e kryer, ngase më votimin e Ligjit për Gjykaten Speciale, tani më ai ligj është obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë dhe që fatkeqësisht janë shumë gjëra të pakuptueshme që deputetët tanë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë votuar ligj kunder Republikës se Kosovës, e që është edhe më keq, i kanë amnistuar të gjitha krimet serbe të kryera në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe, e të cilat krime kurrë nuk do të gjykohen para një gjykate apo Tribunali ndërkombëtar” ka thënë ndër të tjerash Tomë Gashi.
Sipas tij, nxjerrja e ligjit për Gjykatën Speciale në ketë formë i ka dridhur vetë themelet te shtetit të Kosovës, e ka zbehur pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe i ka parandaluar njohjet e reja të shtetit të Kosovës. Kane qenë shumë arsye që një ligj i tillë të mos votohet dhe që së paku të kërkohet që një gjykatë e tillë me emërtimin Gjykatë Speciale apo më çfarëdo emri të themelohet në territorin e Republikës së Kosovës, të hetohen te gjitha krimet e supozuara të kryera gjatë periudhës se luftës dhe të akuzohen të gjithë ata për të cilët sigurohen prova se kanë kryer krime lufte në Kosove pa i ndarë në etni, respektivisht në përkatësi nacionale.
Unë nuk besoj që ndokush, duke përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që do të ishin kundër themelimit të një gjykate të tillë në Kosovë për ti gjykuar të gjithë ata që kanë kryer krime, e kjo posaçërisht do të vlente për krimet serbe të ushtarëve dhe policëve serbë që kanë vrarë mbi 15 mijë qytetarë civil shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, që kanë vrarë mbi 1000 fëmijë, që kanë vrarë dhe dhunuar mbi 20.000 mijë femra në Kosovë, që kanë masakruar këdo që kanë mundur, vetëm për shkak të përkatësisë nacionale-shqiptare, por deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur me ligj që t’i akuzojnë vetëm shqiptaret dhe të i’u jepin imunitet kriminelëve serbë.
“Ajo që është edhe më e pikëllueshme është kur deputetët që e kanë votuar Gjykatën Speciale “vajtojnë” kur i vijë ftesa ndonjë zyrtari të lartë shtetërorë për t’u paraqitur në Hagë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte” ka thënë për “Bota Sot” avokati Tomë Gashi.