A do të rriten apo ulen çmimet në plazhe këtë vit, tregon ambasadori shqiptar
Pas një izolimi të gjatë prej gati prej 3 muajsh të shkaktuar nga koronavirusi për çka shtetet u detyruan të mbyllin edhe kufijtë, së shpejti Shqipëria do të rihapë kufirin e saj me Kosovën. Në fakt, sipas asaj që është paralajmëruar nga autoritetet shqiptare kufiri do të hapet nga data 1 qershor dhe tani mbetet që të merr një vendim edhe Kosova që mandej qytetarët të mund të udhëtojnë lirshëm.
Edhe pse Shqipëria më 1 qershor do t’i hapë kufijtë në drejtim të Kosovës, një gjë e tillë nuk dihet nëse do të ndodh edhe nga ana e shtetit kosovar.
Të paktën deri më sot, ende nuk është marrë një vendim nga pala kosovare për hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.
E për të gjithë ata kosovarë që kanë planifikuar që pushimet verore t’i kalojnë në Shqipëri, një fije shprese e ka dhënë ambasadori i këtij vendi në Kosovë, Qemajl Minxhozi.
Ambasadori shqiptar në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka pohuar se tashmë kanë marrë vendim dhe në ditët e para të qershorit do të mund të hapet kufiri Kosovë-Shqipëri.
Mirëpo ambasadori Minxhozi thotë se rihapja e kufirit vetëm nga pala shqiptare nuk do të kishte kuptim dhe pret që së shpejti një vendim të merr edhe Kosova.
“Shpresoj që ndoshta, jo me një qershor por shumë shpejt edhe Kosova do t’i rihapë kufijtë me Shqipërinë, sepse nuk do të kishte sens nëse do të hapet vetëm një drejtim. Dhe unë shpresoj që edhe Kosova në ditët e para të qershorit do të hapë kufirin për Shqipëri. Nuk ka vlerë të jetë vetëm një hap i njëanshëm”, është shprehur Minxhozi.
Vendimi për hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri do të jetë lajm i mirë për gjithë ata që dëshirojnë të udhëtojnë për qejf e pushime, por me theks për ata që mbetën në Kosovës për shkak të izolimit e mbylljes së shteteve nga koronavirusi.
“Mbi 150 qytetarë nga Shqipëria kanë mbetur në Kosovë gjatë kohës së pandemisë e që presin të kalojnë kufirin me datë 1 qershor”, ka treguar Minxhozi për FaktePlus.
Ndërsa me t’u hapur kufiri nga të dyja anët, kosovarët do të kenë mundësi që të marrin rrugë e frekuentojnë gjithë vijën bregdetare shqiptare nga veriu deri në jug. Atje prej ditësh janë bërë gati për nisjen e sezonit turistik dhe sivjet do të ketë edhe ulje të çmimeve.
Këtë e thotë edhe ambasadori Qemajl Minxhozi
“Nuk besoj që do të ketë rritje çmimesh. Madje disa zona siç është e Shëngjinit e Velipoja do të ketë dhe ulje të vogël për pushuesit nga Kosova dhe Shqipëria që do të jenë në plazh”, potencoi Minxhozi.