A do të propozohet “Gjendja e Jashtëzakonshme” nga Kryeministri në orën 16?
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot do të mbajë konferencë për media. Nuk dihet nëse Hoti do të propozojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se Hoti do të mbajë konferencë në orën 16:00, në oborrin e Qeverisë.
“Kryeministri Avdullah Hoti do të mbajë konferencë për medie”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Kryeministri Hoti ka thënë se Kosova po shkon drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Hoti sot do të mbajë takim me komitetin e menaxhimit të pandemisë, ku do të vendos se a do të shpallet ose jo gjendja e jashtëzakonshme.
Kjo pasi rastet me COVID-19 në Kosovë janë rritur dukshëm, e po ashtu edhe vdekjet si pasojë e koronavirusit.
Mbrëmjen e së shtunës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 203 raste të reja me koronavirus në vend.
Numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 4715.
Më 11 korrik 2020, janë shëruar 71 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 2.227 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.387.
Ndërkaq 101 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus.