A do të merr sot vendim Qeveria për pagesën e mësimdhënësve të viteve 90-ta
Punonjësit e arsimit të viteve 90-ta shumë shpejtë do t’i marrin pensionet sipas ligjit për kontributin në atë periudhë. Kjo pasi ka mbetur vetëm që Qeveria e Kosovës të merr vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore sipas ligjit për këtë kategori.
Këtë e ka konfirmuar për FaktePlus zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.
Ai ka thënë se vendimi do të merret në njërën nga mbledhjet e kabinetit qeveritar.
“Për zbatimin e Ligjit nr.06/L-073 për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990-1991 dhe duke u bazuar kërkesën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është përgatitur vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore. Vendim i cili do të merret në mbledhjen e Qeverisë”, ka thënë Shahini.
Ai ka shtuar se pagesat do të merren me pensionin e muajit dhjetor.
“Sa i përket pyetjes së dytë, pagesat punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990-1991, do të merren me rastin e ekzekutimit të pensioneve gjatë muajit dhjetor”, ka thënë Shahini.
Ndërsa, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale javën e kaluar ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, do të fillojnë të marrin kompensimin ligjor.
Mirëpo, jo edhe ditën se kur saktësisht do të fillojë ky kompensim, shkruan FaktePlus.
Ndërsa, tashmë është në dorën e Ministrisë së Financave që të fillojë me ekzekutimin e pagesave.
Kështu, ka thënë për FaktePlus, udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS), Bahri Xhaferi.
“Ministria e Punës i ka bërë të gjitha përllogaritjet, e ka përcjell kërkesën për pagesë në Ministrinë e Financave, Ministria e Financave është duke bërë përpjekje maksimale për t’i ekzekutuar pagesat”, ka thënë ai.
E për të gjitha këto vonesa që kanë ndodhur për kompensim, Xhaferi thotë se kanë pasur problem për sigurimin e mjeteve nga Ministria e Financave pas rënies së qeverisë edhepse këto mjete kanë qenë të parapara më herët, por që tani kjo çështje është zgjidhur.
“Ju po e dini që është pak vakum nëse mund ta quajmë qeverisës edhe nuk mund të mblidhen personat përkatës për shkak të autorizimeve pak të pezulluara për të i marr vendimet e duhura dhe besoj se shumë shpejtë ajo mund të realizohet’, ka deklaruar Xhaferi për FaktePlus.
Por, pavarësisht që është llogaritur që kompensimi të bëhet duke filluar nga 19 deri në 95 euro një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
E, gjithë kjo si pasojë e mos fillimit të zbatimit të Ligjit të ri të Pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.
Pezullimi i këtij ligji ka bërë që mësimdhënësit e viteve 90-ta, që kanë punuar 9 vite të marrin jo 95 euro siç ishte thënë por do të marrin diku rreth 70 euro.
“Llogaritjen prej 95 euro për mësimdhënësit që kanë punuar 9 vite e kemi bërë në bazë të Ligjit të ri të Pagave edhe kjo ka qenë arsyeja e përllogaritjes, respektivisht tash më të vogël e që është 70 euro. Në momentin që hyn në funksion Ligji i ri për Paga dhe fillon zbatimi atëherë përllogaritja do të bëhet në bazë të vlerës së re”, ka deklaruar Xhaferi.
Që mësimdhënësve të viteve 90-ta, iu është ndryshuar pagesa në kompensim e ka thënë për FaktePlus, edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Ai ka thënë se kompensimi do të fillojë me pensionin e dhjetorit.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Departamentin e Pensioneve të Kosovës dhe atë që e kanë thënë edhe publikisht na e kanë thënë edhe neve. Ata janë shprehur të gatshëm edhe të sigurt se kompensimi që e cakton ligji për statutin e punëtorëve të arsimit të Republikës së Kosovës për vitet 90-ta do të fillojë me pensionin e dhjetorit, kanë thënë se kjo shtyrje është bërë ngase është bërë një llogaritje në bazë të Ligjit të Pagave i cili nuk filloi së zbatuari dhe pastaj ata kanë qenë të detyruar të lëshojnë vendime të reja dhe të bëjnë llogaritjet me pagën aktuale në arsimin fillor”, ka thënë Jasharaj, për FaktePlus.
Jasharaj, madje ka treguar se shumë mësimdhënës kanë telefonuar në sindikatë për të kuptuar se përse është bërë ky ndryshim.
“Mësimdhënësit kanë telefonuar edhe tek ne dhe ne ua kemi sqaruar se nuk është bërë këtu ndonjë lojë, por ligji e thotë prerazi dhe saktë dhe thotë se shtesa për vitet e 90-ta llogaritet me përqindje të pagës aktuale dhe po them Departamenti i Pensioneve nuk është fajtor këtu ngase aktualisht edhe zyrtarisht nuk është paga ajo që është pritur me Ligjin e ri të Pagave, por është kjo që e kemi tani dhe në bazë të kësaj page nuk del 95 euro po del diku 70 euro dhe mësimdhënësit e kuptojnë këtë, por ne shumë jemi të sigurt se edhe Ligji i Pagave edhe përkundër prolongimeve , pezullimeve do të startojë dhe atëherë edhe mësimdhënësit e viteve 90-ta do të kenë ndryshim në këtë shtesën”, ka deklaruar ai.
Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.
Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish- liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro.
Në ditën kur edhe ka filluar zbatimi i Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka treguar edhe se cilat dokumente duhet të kenë parashtruesit e kërkesës, duke përfshirë: kopjen e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës; Ekstraktin e lindjes; Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar); Faturën e tatimit në pronë; Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës; si dhe Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontribues.
Që nga viti 2013 mësimdhënësit e viteve të 90-ta, pritën që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin, i cili do t’ua garantonte atyre kompensimin për kontributin e dhënë gjatë asaj kohe./FaktePlus