A do të luajë nesër Zhegrova? Flet trajneri i Baselit
Trajneri i Baselit, Marcel Koller, ka bërë të ditur se përkundër që Edon Zhegrova është integruar mjaft mirë me ekipin e tij të ri, ende nuk është vendosur nëse kosovari do të luajë në ndeshjen e nesërme.
Baseli do ta presë nesër në orën 19:00 në shtëpi, St. Galleon, për ndeshjen e cila do të zhvillohet në kuadër të Superligës së Zvicres, shkruan Gazeta Express.
Koller nuk ka zbuluar nëse Zhegrova do të debutojë për klubin e tij të ri në këtë ndeshje, duke shtuar se ai synon t’i japë 19-vjeçarit mjaftueshëm kohë për t’u përshtatur me ligën e re.
“Edon Zhegrova është integruar mirë me ekipin. Nuk kemi vendosur ende se a do të jetë ai i gatshëm për ndeshjen e nesërme. Ne do t’i japim atij kohë të mjaftueshme”, ka thënë Koller.
Zhegrova u transferua në Basel nga Genku gjatë afatit kalimtar të janarit. Ai u transferua në formë huazimi, deri në qershor të vitit 2020, kur klubi zviceran e ka opsionin për ta blerë përfundimisht belgun.
Të interesuar për Zhegrovën ishin edhe mjaft shumë klube të tjera evropiane, si Lazio, Milani e Barcelona, pasi që raportohej se as kosovari nuk ishte i kënaqur në klubin belg për shkak të minutave të paktë në të cilat aktivizohej.
Gjatë gjithë pjesës së parë të sezonit, ai i ka bërë gjithsej 12 paraqitje për ish-klubin e tij, vetëm shtatë në Jupiler Pro League, nivelin e parë të futbollit në Belgjikë.