A do të lëshojë pe LDK-ja në takim me Quint-in, flet anëtari i Kryesisë së LDK-së
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës assesi nuk po mund të merren vesh për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Që të dyja partitë janë barrikaduar në qëndrimet e tyre, duke mos lëvizur nga kërkesat për të lidhur koalicion.
E, ajo që po mban peng marrëveshjen është pozita e kryetarit të Kuvendit, të cilën tashmë e ka Vetëvendosje, shkruan FaktePlus.
Dje u tha se do të merren vesh përfundimisht për koalicionin ose që nuk mund të shkojnë bashkë në qeverisje.
Mirëpo, takimi që zgjati gati tre orë në mes të VV-së dhe LDK-së, përfundoi edhe njëherë pa epilog.
Teksa afati për mandatarin po shkon drejtë fundit, partitë ka muaj që janë ulur në tavolinë të diskutimit nuk po arrijnë që të heqin dorë e të bëjnë marrëveshje, por, po insistojnë në përmbushje të kërkesave.
Kjo ka bërë që takimi i radhës(sot) mes të dyja subjekteve fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit të bëhet me prezencën e ambasadorëve të QUINT-it dhe të shefes së Misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë.
E, derisa ky koalicion ende nuk është arritur zëra të shumtë brenda dy partive politike, po thonë që koalicioni duhet të ndodhë.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka thënë për FaktePlus, se gjithmonë ka deklaruar që është pro koalicionit VV-LDK.
“Unë gjithmonë kam deklaruar dhe pres që koalicioni me ndodhë, dhe është mirë me ndodhë”, ka thënë ai.
Ndërsa, i pyetur rreth asaj se a pret që ndonjëra prej partive të lëshojë pe, në takimin e sotëm që do të ndodhë nën prezencën e ambasadorëve të QUINT-it, Rugova ka deklaruar se nuk dëshiron të ndërhyjë në këtë çështje, pasi që nuk ëhstë pjesë e ekipit.
“Nuk e di se a do të lëshojnë pe ndonjëra prej partive sepse unë nuk jam pjesë e ekipit që është duke negociuar për këtë marrëveshje dhe nuk kam dëshirë të ndërhy”, ka deklaruar Rugova për FaktePlus.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është emëruar ditë më parë edhe zyrtarisht si mandatar për formimin e qeverisë së re. Mandatimi nga presidenti Hashim Thaçi erdhi pas propozimit të Vetëvendosjes, e cila e caktoi Kurtin pavarësisht faktit se ende nuk është arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Kështu me 20 janar u është dhënë fund pritjeve, pasi është përcaktuar edhe afati kohor për fituesin e zgjedhjeve që të formojë Qeverinë e re të vendit, shkruan FaktePlus.
Kurti ka në dispozicion një afat prej 15 ditësh (tash kanë mbetur edhe 7) që të formojë qeverinë ose të lëshojë rrugë për të tjetër që kanë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.
Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës./FaktePlus