A do të largohet Muriqi në janar? Përgjigjet trajneri i Mallorcas
Vedat Muriqi është protagonist absolut i Mallorcas këtë sezon dhe për të po flitet gjithandej nëpër Evropë.
Sulmuesi kosovar i ka realizuar 8 gola në 12 ndeshje, krahas një asistimi, për ta ndihmuar ekipin spanjoll të ngritet në pozitën e 11-të në La Liga.
E kjo ka bërë që klubet evropiane të shfaqin interesim për “Piratin”.
Në Spanjë, përfaqësuesin kosovar e pëlqejnë Sevilla dhe Villarreali, kurse në Angli interesim për të ka shprehur Brightoni.
Sidoqoftë, trajneri Javier Aguirre nuk frikësohet se mund të mbetet pa ish-futbollistin e Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios.
Sipas tij, dëshirë e lojtarit është të mbetet në klubin ishullor dhe këtë dëshirë të madhe e ka edhe vetë Mallorca.
“A ka ndonjë lloj frike se dikush do të vijë dhe ta marrë Muriqin në janar? Jo. Në futboll nuk i dihet kurrë, por nuk mendoj se do të ndodhë. Për momentin, as nuk kemi marrë ofertë dhe as nuk ka dëshirë të lojtarit për t’u larguar. Në dhomat e zhveshjes ai është fantastik. Dhe, për ekipin është një luks që e ka në dispozicion. Ishte gjithçka e shkruar, sepse Mallorca nuk e shfrytëzoi opsionin e blerjes së kartonit të tij në kohën e duhur. Pastaj Club Brugge e mori dhe i bëri disa ekzaminime mjekësore, pas së cilave nuk e kaloi ‘provimin’, të cilat do të na pengonin dhe nuk do të ishim duke folur këtu për të. Fati deshi që të ishte kështu”, deklaroi trajneri Aguirre për “Ultima Hora”.
Muriqi ka thënë se ndihet i lumtur në Mallorca, por që futbollist nuk i dihet kurrë.