A do të kompensohen qytetarët që paguan faturat e rrymës së harxhuar nga serbët e veriut?
Gjykata Themelore e Prishtinës pritet të vendos se a do të kompensohen qytetarët e Kosovës që paguan faturat e energjisë vite me radhë për serbët e katër komunave në veri të vendit.
Kjo gjykatë merret vesh se është ende në procesin e shqyrtimit të padisë së bërë nga Avokati i Popullit, i cili ka ngritur çështjen e kompensimit ose mënyrës së kthimit të atyre të hollave që janë paguar për rrymën e harxhuar nga serbet në veri.
Institucioni i Avokatit të Popullit në një përgjigje me shkrim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka konfirmuar se Gjykata Themelore ende e ka në shqyrtim kërkesën sa i përket çështjes së kompensimit.
“Çështje e kompensimit të qytetarëve për faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të vendit është duke u shqyrtuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Kjo gjykatë deri më tani ka vendosur vetëm për kërkesën e Avokatit të Popullit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRRE V.nr.399-2012 i datës 06.02.2012, i cili ka të bëjë me faturimin e energjisë”, thuhet në përgjigje.
Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës A.nr.1373/2017 i datës 11.09.2017 për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZRRE është i plotfuqishëm.
Ndërsa, pritet që Gjykata Themelore në Prishtinë të marrë vendim lidhur me çështjen kryesore të padisë, të paraqitur nga Avokati i Popullit e që ka të bëjë me kompensimin e qytetarëve për faturimin e rrymës së shpenzuar në veri, shkruan FaktePlus.
Padia e Avokatit të Popullit kundër ZRRE, e paraqitur më 15 gusht 2017, ka të bëjë me dy çështje:
-Shtyrja e ekzekutimit të Vendimit të ZRRE V.nr.399-2012 i datës 06.02.2012, që Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar dhe instancat më të larta gjyqësore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, e kanë lënë në fuqi edhe pas ankesave të ZRRE; dhe
-Kompensimi i qytetareve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike na katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka vendosur.
Kujtojmë se Avokati i Popullit kishte gjetur se rreth 8 milionë euro brenda një viti ishin shpenzuar nga komunat në veri të Kosovës, kryesisht të banuara me shumicë serbe, ndërsa shpenzimet e kësaj energjie i ishin faturuar pjesës tjetër të qytetarëve të Kosovës.
Pas të gjeturave të Avokatit të Popullit edhe u ishin adresuar rekomandime ZRRE-së, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Avokati i Popullit institucioneve relevante u kishte rekomanduar që urgjentisht të ndërpritet praktika e paligjshme e energjisë elektrike të shpenzuar në veri dhe që Qeveria e Kosovës, ZRRE-ja dhe KEDS-i të gjejnë mënyra alternative të faturimit, duke mos shkelur të drejtat e qytetarëve të Kosovës./FaktePlus