A do të jetë Nisma “pykë qarëse” për koalicionin VV-LDK
Nisma Socialdemokrate e Kosovës, ende është në pritje të rezultateve përfundimtare për ta kuptuar nëse do ta kalojë pragun zgjedhor, duke qenë së është shumë afër ta arrijë një gjë të tillë. Por, ende pa u sqaruar nëse do të jetë apo jo në Kuvend, qysh tani kanë filluar të jepen opsione për dhe kundër që Nisma të përfshihet në koalicionin e ardhshëm qeverisës.
Përveç dy partive që morën më shumë vota në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje si e para dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si e dyta, që pritet ta formojnë koalicionin qeverisës, në koalicion pritet dhe mund t’iu bashkohet edhe Nisma.
Mirëpo, kur ende nuk janë certifikuar rezultatet, dy partitë që pritet ta arrijnë një koalicion qeverisës, LDK e Vetëvendosje, kanë pikëpamje të ndryshme rreth përfshirjes së Nismës në koalicion.
Ky subjekt mund të bëhet edhe “pykë qarëse” mes Vetëvendosjes e LDK-së, duke marrë për bazë qëndrimet e kundërta.
Derisa në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se partitë e PAN-it duhet të shkojnë në opozitë, LDK-ja ka qëndrim krejt tjetër, pasi e dëshiron edhe Nismën në koalicionin e mundshëm qeverisës mes tyre.
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se ende nuk kanë diskutuar mundësinë që të arrijnë koalicion me dikë që ende s’e ka kaluar pragun.
Madje sipas saj, aq më pak kur kanë theksuar në vazhdimësi se PAN-i, duhet të shkojë në opozitë.
“Sipas rezultateve te KQZ, deri tani, Nisma nuk e ka kaluar pragun. Prandaj edhe nuk mund të flasim për koalicion me dikë që s’e ka kaluar pragun. Megjithatë, ne jemi duke u angazhuar për koalicion me LDK-në dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë. As nuk kemi diskutuar ndonjëherë për përfshirje të Nismës. Madje ne kemi thënë në vazhdimësi që PAN-i duhet të shkojë në opozitë dhe kështu ka vendosur edhe populli. Nisma e ka marrë ndëshkimin nga qytetarët edhe për shkak të mendësisë së mbrapsht 2 vjeçare me favore për njerëzit e tyre e punësime mbi baza nepotiste”, ka thënë Haxhiu për FaktePlus.
Mirëpo, për dallim nga Haxhiu, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur dëshirën që nëse e kalon pragun, ta marrin në koalicionin qeverisës edhe Nismën Socialdemokrate të udhëhequr nga Fatmir Limaj.
Në një intervistë para disa dite të dhënë në media, Mustafa ka thënë se do ta dëshironte Limajn në Qeveri.
“Nëse Nisma i merr votat e veta dhe e merr besimin qytetar, që do ta uroja që ta marrë sepse ato janë mandatet dhe votat e tyre, na sjellë në një situatë tjetër. Nuk e rrezikon në asnjë rast koalicionin e LDK-së me Vetëvendosjen ose të Vetëvendosjes me LDK-në sepse ne prapë arrijmë që të jemi afër 60-shit, sepse janë edhe minoritetet joserbe që e kapërcejnë 60-shin në një koalicion të tillë. Mbetet çështje e hapur e marrëveshjes tonë me Vetëvendosjen se a do të kemi pjesë të koalicionit edhe Nismën. Për mua, nuk do të ishte asnjë problem që edhe të bëhet sepse vetëm sa e pasuron një mozaik politik, por varet nga ai që del i pari se çka preferon dhe çka jo”, ka theksuar Mustafa.
Megjithatë, ani se ende nuk janë publikuar rezultatet përfundimtare, kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se ata kanë kaluar pragun pas rinumërimit të 530 vendvotimeve.
Ai ka thënë se koalicioni që udhëheq, ka marrë 5.5 për qind të votave dhe do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Dua të iu njoftoj që nga rinumërimi i deritanishëm i votave të rregullta që është duke u bërë në QNR, NISMA dhe koalicioni ynë ka aktualisht 5.5 për qind të votave, që do të thotë se koalicioni ynë do të jetë pjesë e Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Limaj.
Koalicionit që udhëheq Limaj i duhen edhe pak vota për ta kaluar pragun, porse votat e ardhura nga Serbia mund t’ia vështirësojnë kalimin e pragut./FaktePlus