A do të jetë kritiku Mentor Llugaliu kandidat i VV-së për Podujevën? Flet Bajqinovci për FaktePlus
Emërimi i Agim Veliut si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike e çoi Komunën e Podujevës në zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjedhje të cilat do të mbahen më 15 mars sipas vendimit të Presidentit. Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, postin e Veliut do ta ushtrojë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari i cili po ashtu është nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Për komunën e cila njihet si bastion i LDK, kanë nisur të lakohen emra të ndryshëm, megjithatë asnjë nuk është bërë zyrtare. E ditën e djeshme deputeti i VV-së, postoi një fotografi me arkitektin dhe kritikun nga kjo komunë, Mentor Llugaliun, i cili edhe para kësaj fotografie kishte shprehur synimin për t’u bërë i pari i kësaj komune. Megjithatë Bajqinovci për FaktePlus ka thënë se nuk ka asgjë zyrtare, porse nuk e përjashton një mundësi të tillë.
Mefail Bajqinovci nuk e ka mohuar që arkitekti dhe kritiku Mentor Llugaliu mund të jetë kandidat për kryetar të Podujevës. Megjithatë ai ka thënë se në takimin e djeshëm nuk u fol për diçka të tillë dhe se VV-ja ende nuk e ka përcaktuar kandidatin.
“Mentorin e kam vetëm shok, edhe pse tybe me të kallu drejt tash tanve po iu përmendet emri prej tyre edhe atij. Me të qindra foto i kam në ‘Facebook’, por nuk ka diçka. Vetëm dolëm pak në Podujevë, nuk ka diçka edhe sot e pashë në media. Unë për veti nuk di. Ne nuk kemi bisedu, ne vetëm dolëm për me pa. Ai është kritik i madh i Agim Veliut por s’ma merr mendja që ka ambicie edhe pse nuk i dihet”, ka thënë Bajqinovci për FaktePlus.
Tutje Bajqinovci ka thënë se janë 5-6 emra që lakohen por se deri javën tjetër beson se do të dihet emri i kandidatit. Megjithatë ai nuk e ka treguar emrin e ndonjë kandidati të mundshëm
“Nja 5-6 emra po i shoh nëpër portale që po lakohen me qenë kandidat. Mu ma merr mendja që deri javën tjetër të gjitha partitë kanë me i qit emrat”, ka thënë Bajqinovci.
Llugaliu ndryshe ka shprehur hapur përmes rrjeteve sociale admirimin e tij për VV-në. Ai njihet si kritik i qeverisjes lokale të Agim Veliut por edhe i PDK-së.
Ndryshe nga LDK-ja është përmendur emri i dr. Ekrem Hysenit, ish-drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK. Por ai para pak ditësh kishte thënë se i mbesin organeve të vendosin.
“Këto janë vetëm mendime të opinionit dhe nuk kemi asgjë prej partisë , dhe sot proceset po marrin kahje tjetër. Sigurisht se do të mblidhet Kryesia e LDK-së dhe pastaj e shohim. Nuk ka diçka konkrete, nuk ka zyrtare, asgjë as prej partisë e as prej ish-kryetarit Agim Veliu, tash ministër i Brendshëm as prej strukturave të tjera, pra për momentin nuk ka asgjë konkrete, me siguri partia do ta merr këto ditë një vendim”, kishte thënë Hyseni për FaktePlus.
Podujeva në zgjedhje, kush do të ulet në karrigen e Agim Veliut
Zgjedhjet e fundit në Podujevë i fitoi Agim Veliu i LDK-së i cili në balotazh mundi Ajet Poterën e VV-së.
Ndërsa në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme parlamentare, LDK-ja fitoi me rezultat të ngushtë ndaj VV-së./FaktePlus