A do të fillojë mësimi të hënën, tregojnë nga Ministria e Arsimit
Në të gjitha shkollat e vendit të hënën fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2019/2020. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e këtij gjysmëvjetori. Ndërkohë, punëtorët e arsimit janë duke nënshkruar një peticion lidhur me pezullimin e Ligjit të Pagave.
Më 13 janar, ditën e hënë, fillon gjysmëvjetori i dytë në sistemin e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2019/2020.
Drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se Ministria në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë komunale të arsimit, ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar ky gjysmëvjetor, ashtu siç është e paraparë me udhëzimin administrativ dhe kalendarin e vitit shkollor.
“Sipas informacioneve që kemi, të gjitha drejtoritë komunale të arsimit në bashkëpunim me shkollat dhe këshillin e arsimtarëve kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë. Ne si Ministri i kemi kryer të gjitha obligimet tona institucionale, duke menduar se për mësimdhënësit nuk ka pasur pushim, por vetëm për nxënësit dhe besoj që të gjitha shkollat janë përgatitur me planet e tyre, duke u bazuar në kalendarin e vitit shkollor”, tha Alushi.
Ndërkohë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë pret që të përmbyllet aktiviteti i nisur nga anëtarësia për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e tyre në Qeverinë e Kosovës dhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit, me kërkesën që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për revokimin e vendimit të masës së përkohshme për pezullimin e Ligjit të Pagave. Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha se po presin të formohen edhe institucionet e reja qeveritare, ku siç tha, pritet të dalin sfida të reja.
“Të njëjtën rrugë demokratike po e shfrytëzojmë, duke shprehur kërkesën e mijëra mësimdhënësve tek Avokati, ashtu siç veproi duke respektuar kërkesat e të tjerëve dhe t’i drejtohet edhe njëherë Kushtetueses, jo që të ndikojë për të sjellë ndonjë vendim lidhur me Ligjin, por që të heqë masën e pezullimit të Ligjit të Pagave. Nuk po bëjmë presion, por po bëjmë një kërkesë legjitime”, tha Rrahmani.
Jasharaj, theksoi se Këshilli Drejtues, kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të universiteteve bashkë me kryesinë e SBASHK-ut, urojnë që sa më shpejt të rinisë dialogu për shumë çështje në arsim, dhe nëse anëtarësia vlerëson se dialogu nuk po jep rezultate të duhura, atëherë fillohet me veprime sindikale.