A do të bëhet “koalicioni i shpresës” pas ndërhyrjes së ambasadorëve të QUINT-it?
Qytetarët e analistët politikë ishin mëse të bindur se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të merreshin vesh shpejt për krijimin e Qeverisë së re. Por, edhe takimi i fundit i mbajtur të hënën ka përfunduar pa marrëveshje. E një takim do të mbahet sot me prezencën edhe të ambasadorëve të QUINT-it dhe me shefen e Misionit të BE-së në Prishtinë.
Tashmë po mbushen katër muaj prej kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor 2019, dhe menjëherë pas publikimit të rezultateve Lëvizja vetëvendosje e LDK nisëm takimet për të harmonizuar programim e përbashkët qeverisës.
Por, me të nisur diskutimet edhe për ndarjen e posteve nisën të shfaqen problemet mes këtyre dy subjekteve, të cilat edhe pse u takuan me dhjetëra herë deri tani nuk arritën të merren vesh e për ndarjen e posteve.
Stërzgjatja për të arritur deri te koalicioni bëri që drejtuesit e LVV-së e LDK-së të kenë ndaras takime e konsulta me ambasadorët në Kosovë, për çka u ngjallë shpresa e krijimit të “koalicionit të shpresë”.
Por as takimi i mbrëmshëm që zgjati më shumë se dy orë nga i cili priteshin rezultatet përfundimtare, diçka e tillë nuk ndodhi. Ani pse para takimit edhe Kurti e edhe Mustafa u shprehen optimist se do të arrijnë marrëveshjen finale, në fakt asgjë nuk ndodhi.
Sot edhe një përpjekje, a do të kryej punë QUINT-i
E sërish sot duhet ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Pasdite raportohet që Kurti e Mustafa do të zhvillojnë një takim me ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e BE-së në Kosovë.
Gjithë kjo zvarritje, sipas analistëve politikë po ndodhë për shkak të kryeneçësisë së Isa Mustafës. Madje ata sugjerojnë që Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk duhet të ta largojë Glauk Konjufcën nga posti i kryeparlamentarit.
Takimin e sotëm i Kurtit e Mustafës me ambasadorët e QUINT-it, njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri thotë se do të jetë vetëm informues e se krerët e dy partive do të takohen sërish për të arritur marrëveshje finale.
Tahiri për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, tha se ambasadorët do t’iu kërkojnë dy liderëve që të formojnë Qeverinë e Kosovës.
“Sot takimi ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që do të mbahet me ambasadorët e QUINT-it do të jetë takim informues. Dy palët në sy të njëri tjetrit do t’i informojnë ambasadorët për procesin e bisedimeve për koalicion dhe për atë se ku janë pengesat. Pra, do të jetë informues. Ambasadorët normalisht do ta shprehin përkrahjen për qeverinë, do ta shprehin pikëpamjen për qeverinë e ndryshimit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që priten prej kësaj qeverie dhe përkrahjen e vendeve për liberalizimin e vizave dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës. Do t’iu kërkojnë ta bëjnë qeverinë, sepse populli iu ka votuar juve edhe largoni këto dallime që i keni sa i përket ndarjes së mandatit apo pjesës të pushtetit”, tha Tahiri.
Edhe përkundër zvarritjes së deri tanishme, Tahiri thekson se Kurti e Mustafa do të arrijnë të krijojnë koalicion qeverisë.
“Unë pres që do të vazhdoj takimi sot mes Isa Mustafës e Albin Kurtit, dhe pres që të merren vesh. Pres konkretisht që Lidhja Demokratike e Kosovës do të heq dorë nga kryeparlamentari, dhe kjo nuk është vetëm si mendim i imi por edhe kushtetues e ligjor sepse nuk i takon me Kushtetutë dhe me ligj sepse nuk bënë ta vë në pozitë të keqe Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin që për hir të koalicionit me shkel Kushtetutën. Kushtetua thotë se partia e parë i ka dy anëtar të kryesisë dhe njërin prej tyre e ka kryeparlamentarin dhe këtë e bënë për shkak balancit të forcave parazgjedhore”, tha ai.
Kurse njohësi politik, Riza Smaka për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus tha se ka qenë e pritshme të mos arrihet marrëveshja as mbrëmë për shkak të kërkesave megalomane të LDK-së.
“Të them të drejtën nuk kam pritur që do të arrihet marrëveshja për koalicionin sepse kërkesat e LDK-së janë megalomane, ndërsa si të tilla janë të vështira për tu harmonizuar”, tha Smaka.
Smaka nuk e sheh të udhës ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë, duke thënë se kjo tregon se Kosova nuk ka një praktikë shtetërore e politike.
“Ndërmjetësimi i faktorëve të jashtëm nuk është e mirë për ne, është shenjë e keqe dhe moment i keq sepse del që ne nuk jemi shtet formues, nuk kemi praktikë shtetërore, politike”, tha ai.
Sipas Smakës, LDK nuk do të ketë alternativë tjetër përveç që të tërhiqet nga kërkesat e saja dhe të pranoj propozimin racional, duke theksuar edhe se Konjufca nuk duhet të jep dorëheqje.
Me 20 janar të këtij viti presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit. Dekretin ai e dërgoi në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti Thaçi mandaton Kurtin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit. E që Kurtit i kanë mbetur edhe 7 ditë kohë për ta krijuar ekzekutivin.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të vitit 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjet erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Në mungesë të formimit të qeverisë së re, Kosova ende qeveriset nga qeveria në detyrë e cila ka kufizime në marrjen e vendimeve. Çështja më urgjente, aktualisht, po konsiderohet ajo e miratimit të buxhetit, pasi që nga muaji prill, nëse nuk miratohet buxheti, autoritetet aktuale qeverisëse kanë paralajmëruar mundësinë e krizës buxhetore./FaktePlus