A do ta legalizojë komuna e Fushë Kosovës objektin për të cilin u arrestuan dy zyrtarë dhe ndërtuesi?
Komuna e Fushë Kosovës nuk e ka bërë të qartë se çka do të bëjë me objektin nëntë katesh, i cili është ndërtuar pa lejen e komunës.
Për objektin në fjalë me 11 prill policia e pati arrestuar drejtorin komunal për Planifikim Urbanistik, Abdullah Prebezën, shefen e Planifikimit Urban, Antigona Sahitin, si dhe pronarin e kompanisë ndërtuese “Naki Trade”, Milazim Veliun.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Policia, dy zyrtarët ishin arrestuar sepse kishin lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit, ndërsa ndërtuesi pos lejes së paligjshme e kishte tejkaluar atë jashtëligjshëm.
Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se ende nuk dihet cili do të jetë vendimi i ardhshëm i komunës pasi objekti në fjalë paraprakisht nuk posedon leje ndërtimi.
I pyetur nga redaksia nëse punimet kanë vazhduar në mënyrë ilegale edhe pas ndalimit të tyre nga inspektorati i komunës, pasi që shihen ndryshime të brendshme të mureve, Topalli ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se inspektorati nuk ka lejuar vazhdimin e punimeve.
“Aktualisht punimet nuk janë duke vazhduar dhe nëse tenton investitori të punojë ne nuk do të lejojmë deri të merret një vendim i ri nga komuna”, ka thënë Topalli.
Në njoftimin paraprak nga Policia e Kosovës të datës 11 prill, thuhej se janë arrestuar dy meshkuj dhe një grua në Fushë Kosovë për keqpërdorim të pozitës dhe punime ndërtimore të kundërligjshme.
Sipas njoftimit të arrestuar janë i dyshuari A.P., e dyshuara A.S. dhe i dyshuari i tretë M.V.
Në njoftim theksohet se dy të parët ishin persona zyrtarë që në kundërshtim me autorizimet e tyre kishin lëshuar leje ndërtimore për investitorin për ndërtimin e objektit shumë banesorë me afarizëm në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë dhe kishin dhënë lejen ndërtimore për investitorin tjetër, duke mos i përfillur procedurat e parapara sipas Ligjit të ndërtimit dhe në kundërshtim me udhëzimet e administrative.
Në rastin e lejes për kompaninë e parë, veprimi i të dyshuarve ka shkaktuar dëm për banorët e dy objekteve ekzistuese, duke mos respektuar distancën e ndërtimit.
“I dyshuari (M.V.) në cilësinë e pronarit të kompanisë (1), dhe ndërtuesit të objektit në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë edhe pse ishte pajisur me leje ndërtimi nga të dyshuarit në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit dhe udhëzimet administrative, i njëjti nuk ju ka përmbajtur as kësaj leje ndërtimi duke bërë tejkalime të lejes gjatë ndërtimit të objektit si dhe nuk ka përfillur urdhëresat e Inspektoratit të Ndërtimit për ndërprerjen e punimeve të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit me iniciale (A.P.) dhe (A.S.) me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, ndërsa i dyshuari me iniciale (M.V.) dyshohet se ka kryer veprën penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme”.
Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent, u patën dërguar në ndalim për 48 orë, e mandej u liruar në procedurë të rregulluar./FaktePlus