A do ta bëjë koronavirusi fluturimin më të shtrenjtë?
Përderisa shumë shtete kanë filluar lehtësimin e masave për frenimin e pandemisë së COVID-19, vëmendja tani po rikthehet në industrinë globale të aviacionit, e cila ka qenë e mbyllur tash e sa muaj. Disa aviokompani kanë mbajtur në funksion disa linja fluturimesh kryesisht për misione të riatdhesimit, teksa disa kanë konvertuar aeroplanët e pasagjerëve për t’u përdorur si aeroplanë ngarkues, por të gjithë ata më mirë do të ktheheshin në objektivin e tyre kryesor, pra duke fluturuar me njerëz në mënyrë të sigurt nëpër botë.
Por kur aeroplanët të fillojnë fluturimin përsëri, si do të ketë ndikuar pandemia në çmime?
E ardhmja e dyshimtë?
“E dimë se linjat ajrore synojnë t’i aktivizojnë sërish aeroplanët dhe që pasagjerët të jenë ata që ulen në ulëset”, ka thënë Benjamin Cany nga Amadeus, një kompani teknologjike që ofron shërbime të IT-së për industrinë e udhëtimit, duke përfshirë një nga sistemet kryesore të rezervimit të biletave. Së paku në një afat të shkurtër kohor, kjo do të shërbente për uljen e tarifave me qëllim të stimulimit të konsumatorëve.
Megjithatë, kur shikohen disa muaj të ardhshëm, ekzistojnë disa faktorë që mund t’i ngrenë çmimet, nisur nga falimentimet e linjës ajrore që mund të zvogëlojnë si furnizimin ashtu dhe konkurrencën, e deri te reduktimi i fluturimeve shkaktuar nga ulja e hershme e fluturakeve.
Enigma më e madhe është se sa shpejt do të rikthehen udhëtarët në fluturime, duke e pasur parasysh ndjenjën e përgjithshme se industria e aviacionit nuk do të kthehet në shifrat e para pandemisë të paktën deri në vitet 2022, 2023 ose edhe më tej.
Aviokompanitë, thotë Cany, rëndom analizojnë kërkesat e mëparshme për t’i parashikuar trendët e ardhshëm. Por nuk ka precedent për rrethanat aktuale.
“Çfarë do të bëjnë linjat ajrore kur të dhënat e mëhershme janë rrënjësisht të ndryshme ose nuk janë më relevante për kalkulimet e ardhshme?”, ka thënë ai.
Ekuacioni i çmimeve
Çmimet e aviokompanive, shpjegon Cany, normalisht bazohen në një kombinim të kalkulimeve shkencore dhe modeleve. Kjo gjë, bën të ditur ai, “ka të bëjë me të kuptuarit e motivit të udhëtimit dhe se sa të gatshëm janë klientët për të paguar për biletën. Aviokompanitë më pas e balancojnë këtë të dhënë me kapacitetin dhe tregues të tjerë të shumtë. Kompanitë ajrore synojnë ta arrijnë ujdinë më të mirë për fluturimet dhe udhëtarët”, ka thënë Cany.
Kjo është edhe punë shkence e edhe arti.
“Shkenca është në punën e modelimit, mësimin e funksionimit të makinave dhe në algoritmet që qëndrojnë prapa këtij kalkulimi dhe rëndom përfshin zgjedhjen midis produkteve të ndryshme ajrore (për shembull, biznesi kundrejt ekonomisë) dhe itinerareve të ndryshme të linjave ajrore (koha e nisjes, koha e mbërritjes, kohëzgjatja e udhëtimit). Kjo gjë duhet të kombinohet me të dhënat historike, kohën, si dhe me treguesit e tregut, siç janë ngjarjet e ardhshme lokale, konkurrenca në të njëjtën linjë dhe kështu me radhë”, ka thënë Cany.
Arti ndërkohë buron prej “çmimeve të aviokompanive dhe ekspertëve të administrimit të të ardhurave, të cilët i rregullojnë këta indikatorë për ta zhvilluar parashikimin më të saktë të mundshëm. Pikërisht këtu ndihmon teknologjia, duke u siguruar ekipeve mjetet e nevojshme për të përmirësuar saktësinë e parashikimit në shkallën më të lartë”, ka përfunduar Cany.
Por askush nuk e di se si modelet, të cilat aviacioni i ka përdorur për dekada me radhë, do të ndryshojnë si rezultat i pandemisë së jashtëzakonshme COVID-19, sidomos duke e pasur parasysh faktin se situata ende po evoluon.
Kur do të kthehen kërkesat për fluturime?
Në termat më themelorë ekonomikë, për shembull, çmimet e linjave ajrore përcaktohen bazuar në kurbën e furnizimeve dhe atë të kërkesës. Aviokompanitë zakonisht i kanë nën kontrollin e tyre furnizimet dhe përgjithësisht kuptohet se kur duan ta stimulojnë kërkesën për të mbushur kapacitetet, ato i ulin çmimet. Më shumë njerëz do të udhëtojnë nëse një biletë është 50 dollarë në vend se 100 dollarë. Faktori X tani është se shumë njerëz janë të frikësuar që të udhëtojnë, për shkak të shqetësimeve të higjienës, udhëzimeve të izolimit dhe rregullave të karantinës.
“Në aspektin afatshkurtër, aeroplanët do të vazhdojnë të jenë shumë më pak të mbushur dhe linjat ajrore do të bazohen në çmimin e ulëseve për t’i nxitur udhëtarët që të fluturojnë të sigurt në një botë me COVID-19”, ka thënë Joe Leader, shefi ekzekutiv i APEX, një shoqatë tregtare, mes anëtarëve të së cilës janë linjat ajrore dhe furnizuesit e tyre. “Linjat ajrore kanë ndaluar fluturimet e tyre në minimalen absolute dhe janë duke humbur para në pjesën dërrmuese të fluturimeve të mbetura… Me shpresë, kombinimi i masave të rritura të sigurisë për COVID-19 me çmimet e ulëta do të trimërojë rikthimin e udhëtimeve”, ka shtuar Leader.
Paul Simmons, shef ekzekutiv i linjës ajrore që ngërthen kompanitë si “easyJet” dhe “Malaysia Airlines”, sugjeron se çmimet e ulëta e fluturimeve mund të luajnë rol të rëndësishëm për t’i bindur njerëzit të udhëtojnë më shumë.