A arrihet më 27 qershor në Uashington marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?
Delegacioni i Prishtinës dhe Beogradit do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, pasi i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Në fakt ditë më parë krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, janë ftuar nga administrata e presidentit amerikan që të marrin pjesë në takimin që do të mbahet më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Pasi kanë konfirmuar pjesëmarrjen, kryeministri Avdullah Hoti, i ftoi të gjithë liderët e partive politike në vend për të diskutuar lidhur me takimin e Uashingtonit. Ky takim, sipas Hotit, është me qëllim të bashkërenditjes së opinioneve të sferës politike në vend, para se te udhëtojë për në Shtëpinë e Bardhë.
MIrëpo Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e refuzuan këtë ftesë të Hotit, ndërsa partitë e koalicionit në pushtet e pranuan të diskutonin me kryeministrin.
Por se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjasat që ky proces të ketë sukses apo dështim, flasin njohësit e zhvillimeve politike.
Politologu Ramush Tahiri thekson se qëllimi i këtij takimi është përmbyllja e dialogut Kosovë- Serbi, e cila do të ndodhë me njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Takimi në Shtëpinë e Bardhë në Uashington si vazhdim i dialogut Kosovë-Serbi do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë dhe me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve që është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Tahiri për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ai thotë që Kosova duhet t’i besojë plotësisht SHBA-së, sepse ky shtet e ka dëshmuar në vitet 1998- 1999 se roli i tij për Kosovën dhe paqen në Ballkan është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.
“Unë besoj se autoriteti i SHBA-së si në vitet 1998-99 për Kosovën dhe paqen ne Ballkan ashtu është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm edhe sot”, tha ai.
Tahiri, gjithashtu ka folur rreth rolit të Bashkimit Evropian në proceset e Kosovës e sidomos në atë të dialogut.
Ai thotë që Bashkimi Evropian e ka humbur autoritetin dhe kredibilitetin për Kosovën, gjë e cila ka ndodhur për shkak, të siç tha “kompromiseve joparimore dhe mëdyshjeve rreth të ardhmes së shtetit të Kosovës”.
“Bashkimi Evropian e ka humbur autoritetin dhe kredibilitetin për Kosovën, për shkak kompromiseve joparimore dhe mëdyshjeve rreth të ardhmes së shtetit të Kosovës dhe të ardhmes së Ballkanit”, u shpreh Tahiri për FaktePlus.
Ndërsa për rolin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet dy vendeve, Mirosllav Lajçak, Tahiri thotë se ai ofron ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut për çështjet konkrete që udhëhiqen nga qeveritë e dy vendeve në fjalë.
“Lajçak ofron ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut dhe bisedimeve për çështjet konkrete që udhëhiqen nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë”, tha Tahiri.
Në fund, politologu Tahiri, tha që të normalizohen marrëdhëniet dhe të zgjidhen çështjet duhet të bëjmë marrëveshje sa më shumë.
“Sa ma shumë marrëveshje që bëhen aq ma mirë, sepse kështu bëhet normalizimi i marrëdhënieve dhe zgjidhja e çështjeve”, përfundoi Tahiri.
Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Kjo masë u zëvendësua me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit./FaktePlus