Evakuohen 50.000 persona në Rusi, rezulton i rremë alarmi për bombë
Mbi 50 000 persona u evakuan sot nga ndërtesat publike, qendrat tregtare dhe shkollat në Moskë dhe në rajonin e saj pas një alarmi për bombë që për fat të mirë rezultoi i rremë. Paralajmërimi anonim ishte dërguar me email, raportuan agjencitë ruse.
Mbi 200 godina përfshirë shkolla, institucione të arsimit të lartë, qendra tregtare dhe biznesi, spitale dhe ndërtesa administrative ishin pjesë e paralajmërimit për bombë, sipas shërbimeve të emergjencës të cituara nga agjencia e lajmeve ‘’Ria Novosti’’.
Evakuime pati gjithashtu edhe në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh i vendit, i cili ishte objekt i alarmeve të rreme për bombë në mënyrë të ngjashme disa ditë më parë, përcjell Atsh.
Asnjë objekt i dyshimtë nuk u gjet në përfundim të kontrolleve që u pasuan edhe me evakuimin në masë të banorëve.