Kosova gati për festën e 17 Shkurtit, për herë të parë me Ushtri
Pak ditë para përvjetorit të njëmbëdhjetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, institucionet kanë nisur të përgatisin një sërë aktivitetesh me të cilat do të shënohet kjo ditë. Për dallim nga herët e tjera, në këtë përvjetor për herë të parë pas marrjes së mandatit të ri Forca e Sigurisë së Kosovës do të parakalojë në sheshin “Nënë Tereza” si Ushtri.
Edhe pse ende nuk kanë nisur të bëhen dekorime nëpër sheshe për të shënuar 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, tashmë institucionet kanë planifikuar aktivitetet me të cilat do të shënohet kjo ditë.
Për herë të parë pas marrjes së mandatit të ri Forca e Sigurisë së Kosovës do të parakalojë në sheshin “Nënë Tereza”.
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, e cila ka thënë se do të jenë edhe disa aktivitete para se Forcat e Armatosura të Kosovës të parakalojnë për nderë të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Sipas planifikimeve, aktivitetet për nderë të pavarësisë do të nisin me 16 shkurt, ku është paraparë që nga ora 09:00 e mëngjesit, nisja e Deklaratës së Pavarësisë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për në 7 qendrat kryesore të Republikës së Kosovës, si Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj.
Ndërsa, 17 shkurti do të nisë me mbledhjen festive të Qeverisë, e cila do të mbahet në orën 08:00 deri në 08:30.
Ndërsa, nga ora 08:30 – 08:45 do të bëhet ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës, ku të pranishëm do të jenë liderët shtetëror në oborrin e Qeverisë.
“Nga ora 08:45 deri 09:00 do të bëhet vendosje kurorash tek shtatorja e ish Presidentit Dr. Ibrahim Rugova nga liderët shtetëror. Në orën 09:40 deri në ora 09:50 do të bëhet vendosja e kurorave në kompleksin“Adem Jashari” nga liderët shtetëror. Kurse në orën 10:45 deri në orën 11:30 do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ngjarja kryesore do të jetë, në orën 12:20 deri në orën 13:00 kur do të bëhet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës prej Sheshit “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova””, ka thënë Gashi për FaktePlus.
Për nderë të festës së pavarësisë, përveç aktiviteteve shtetërore institucionale, do të ketë edhe programe festive.
Këto programe festive do të nisin me 16 shkurt në kryeqytet, ku prej orës 09:30 do të bëhet vendosja e Deklaratës së Pavarësisë në Sheshin “Nënë Tereza”.
Ndërsa, nga ora 10:00 do të hapet ekspozita e punimeve artistike “Simbolet e Pavarësisë” në Sheshin “Zahir Pajaziti”, derisa në sheshin “Adem Jashari”, në orën 10:30 do të bëhet hapja e Panairit të produkteve vendore.
Program i pasur do të jetë edhe me 17 shkurt, ditën e shpalljes së pavarësisë, ku nga ora 10:00 deri në orën 11:00 do të hapet me program për fëmijë në sheshin “Zahir Pajaziti”, me ç’rast do të përformojnë artistë nga Istar Kids Academy.
Nga ora 14:00 deri në orën 15:30 do të mbahet Koncert festiv për 11- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Sikurse çdo vit, në orën 18:30 deri në orën 18:41 do të bëhet ndezja e fishekzjarrëve. Kurse, në orën 20:00 do të jetë koncerti festiv, ku do të përformojnë disa nga këngëtarët e estradës kosovare, në Sheshin “Zahir Pajaziti”, ku edhe do të përmbyllen aktivitetet në shënim të 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë./B.Syla-FaktePlus