Lumezi kërkon efikasitet nga Prokuroria Speciale
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kanë zhvilluar një vizitë pune në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës .
Gjatë qëndrimit në këtë prokurori, Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryesuesi i KPK-së janë njoftuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, për punën që është duke bërë ky institucion në trajtimin e lëndëve që janë nën juridiksionin e tij, theksohet në njoftim.
Kryeprokurori Lumezi ka vlerësuar punën e deritashme të PSRK-së dhe prokurorëve të saj, mirëpo edhe përkundrejt këtyre arritjeve, ka kërkuar angazhim dhe efikasitet më të madh në zgjidhjen e lëndëve të shenjëstruara, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar, krimet e luftës dhe rastet e terrorizmit.
Në anën tjetër, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë që iniciativa për të zhvilluar këtë vizitë në Prokurorinë Speciale është që të arrihen rezultate konkrete në trajtimin e rasteve të cilat presin të shqyrtohen në Prokurorinë Speciale.
Me këtë rast të dy krerët e lartë të sistemit prokurorial i kanë dhënë mbështetje të plotë kryeprokurorit dhe prokurorëve të PSRK-së në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, por edhe kanë kërkuar në mënyrë decidive rezultate konkrete në secilin segment të kompetencave të tyre.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PRSK-së premtuan se do të angazhohen maksimalisht për të kryer lëndët e papërfunduara dhe do të kenë në fokus të veçantë procedimin e lëndëve me prioritetet të lartë.
Në përfundim të takimit u tha se kjo prokurori do të ketë mbështetjen e fuqishme edhe nga partnerët strategjikë që mbështesin sistemin prokurorial, me anë të ofrimit të kuadrove me ekspertizë të specializuar në fusha të ndryshme të kriminalitetit.