Osmani përplaset me Thaçin për vizat
Vizitat jashtë vendit që për qëllim kanë lobimin për Kosovën, kanë qenë arsye e përplasjes mes deputetes së PDK-së, Evgjeni Thaçi- Dragusha dhe deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani.
Në komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Thaçi ka kërkuar që të raportohet për vizitat jashtë vendit dhe të arsyetohen ato, ndërkaq Osmani ka thënë se vizitat veçse janë arsyetuar.
Deputetja Thaçi tha se do të duhej të konsultoheshin me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, se cilat vende janë me skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Në të ardhmen ne duhet të diskutojmë për vizitat që do të bëjmë. Ju që keni shkuar në vizita duhet të kemi transparencë, duhet të dijmë se a keni shkuar ta promovoni vetën apo të loboni”, tha ajo.
Ndërsa, kryetarja e komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka thënë se duhet të jepen propozime për vendet se ku duhet të lobohet për liberalizim.
Ajo iu përgjigj deputetes Thaçi- Dragusha, duke thënë se për të gjitha vizitat ka qenë transparente duke përgatitur kështu një raport ku përfshihen aktivitetet jashtë vendit.
“Në mbledhjen e fundit të komisionit kemi diskutuar që ta bëjmë një plan jo vetëm vizita jashtë vendit por edhe për ftesa se kë duhet ta ftojmë. Ne jemi në diskutime me ambasadën tonë në Gjermani dhe Londër. Unë kam kërkuar në kryesi që temat e komisionit tonë të mos stërzgjaten. Sa u përket vizitave të mija unë i kam treguar në raport që është dorëzuar dhe kam kërkuar mbledhjen e kaluar që të gjithë të bëjmë raport për vizitat por ti s’ke qenë në mbledhje prandaj nuk je e informuar”, tha ajo
Në anën tjetër, Ilmi Reçica i PDK-së, ka thënë se vizitat duhet të jenë transparente.
“Komisionet parlamentare funksionojnë në bazë të marrëveshjeve, duhet me ik prej orientimeve të ngushta politike. Secila vizitë diskutohet këtu. Duhet të diskutojmë për të gjitha çështjet dhe vizitat”, tha ai.