Thaçi tregon a do t’i përgjigjet Gjykatës Speciale
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar të hënën lidhur me fillimin e intervistimeve të ish- pjesëtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Gjatë një paraqitje për media, Thaçi tha se është i gatshëm t’i përgjigjet një ftese potenciale ndaj tij nga ana e Speciales.
“Së pari dëshiroj t’i falënderoj komandantët për përgjigje pozitive. Çdo moment që vjen një ftesë e tillë edhe në adresën time, një kërkese të tillë do t’i përgjigjem me transparencën e plotë”, tha ai.
Presidenti Hashim Thaçi, si njëri nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka qenë protagonist i akuzave të Dick Martit për krime të supozuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
I pari i vendit në vitin 2015 kishte kërkuar nga deputetët e Kosovës ta votojnë Gjykatën Speciale, ndërsa viteve të fundit është shprehur kundër saj.
Specialja e cila do t’i hetojë krimet që supozohet të jenë kryer nga UÇK-ja, është formuar në vitin 2015, ndërsa në fillim të këtij viti ka nisur intervistimin e disa ish-komandantëve të luftës.
Deri tani nga komandantët janë intervistuar ai i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe ai i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.